Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitarja Teuta Bakija tha të martën se burri i saj tani i ndjerë, kishte aplikuar për leje ndërtimi dhe se kishin dërguar dokumentet të cilat janë kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit.
Në këtë rast, Agron Gojani ish-arkitekt, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori po akuzohet se kishte aprovuar kundërligjshëm kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, akuzohet se e ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, në kundërshtim me planin urbanistik, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Bakija tha se personalisht nuk kishte shkuar në Drejtorinë e Urbanizmit, por që këto punë i kishte kryer burri i saj, tani i ndjerë. Tha se i qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar dhe në Prokurori.
Meqenëse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, në seancën e kaluar kishte ndërprerë marrjen në pyetje të ekspertit Ismail Bahtiri, me qëllim që të sigurojë projektin e rreth-rrotullimit, e të njëjtin më pas t’ia dorëzojë Institutit për Shkencë dhe Teknologji (INSI) së bashku me pyetjet. Gjykata ka nxjerrë urdhrin për plotësimin e ekspertizës, por nuk ka arritur të kontaktojë me Institutin e as shoferi i gjykatës s’ka arritur ta dorëzojë në institutin e lartcekur.
Ndërsa, në seancën e sotme gjykata ka arritur të kontaktojë me institutin INSI dhe përfaqësuesi i të njëjtit tha se do të vijë në gjykatë dhe do të marrë urdhrin për plotësimin e ekspertizës.
Ndryshe, më 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakallin, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjtë, Agron Gojani, ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas vuajtjes së dënimeve.
Mirëpo, më pas Gjykata e Apelit, e ka anuluar këtë aktgjykim dhe rastin e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se si i tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.
Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize 1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.
Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të Kodit Penal.
Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.
Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së 29 dhjetorit 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.
Për këtë, ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi. 1, pika 2.1 të Kodit Penal.