Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka komentuar “Darkën e Lamës”, që është organizuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e që është mbajtur ditën e hënë.
Pacolli ka theksuar se darka e organizuar nga ministri Peci, u mbajt për njerëz të privilegjuar dhe larg syve të mediave.
Kreu i AKR-së, po ashtu ka shkruar se një gjë është e sigurt, që për këto fatura po paguan taksapaguesi i Kosovës.
“U bë lamë për “darkën e lamës”. Këto darka, që zakonisht ishin darka popullore, që i organizonte presidenca (madje një e tillë ishte edhe në tetor të këtij viti). Mbrëmë pamë edhe një darkë të ngjashme, të mbyllur, për njerëz të privilegjuar dhe larg syve të mediave. Për nder, po me duket se u bë lamë në të gjitha anët – as nuk dihet kush ha, kush pi, e kush paguan, por një gjë është e sigurt: faturën e fundit e paguan taksapaguesi i Kosovës”, ka theksuar ai.
Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar pamje nga darka, ku aty shihet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e figura tjera të rëndësishme.
“Këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës. E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perendisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor”, ka shkruar Peci.