Shefja e re e diplomacisë evropiane Kaja Kallas, për herë të parë sot do të mirëpret në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimin e konfirmuan edhe në Qeverinë e Kosovës, të cilët theksuan se kryeministri Kurti do të merr pjesë edhe në darkën joformale të presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, por nuk treguan se nëse presin qasje të re nga përbërja e re e Komisionit Evropian në raport me Kosovën.
Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se këto takime, të parat të strukturës së re të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, janë më shumë njoftuese. Përkundër kësaj, në raport me Kosovën dhe Serbisë theksojnë se BE-ja do të presë rezultate konkrete drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Analisti Arbnor Sadiku thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian duhet të jetë më shumë prezent në rajon, sidomos pas sulmeve të fundit terroriste në veri, ku u rrezikua seriozisht infrastruktura kritike e Kosovës.
Sipas tij, këto dëshmojnë potencial për destabilizimin e Kosovës, andaj lidershipi i ri evropian duhet të ofrojë mbështetje dhe angazhim konkret për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sadiku: Takimet e sotme në Bruksel riafirmojnë mbështetjen ndaj Kosovës
“Janë takime, të cilat e dëshmojnë edhe një herë lidershipin e ri të BE-së karshi problemeve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht çështja e pakryer ndërmjet Kosovës dhe Serbisë...Natyrisht dihet se problemet kryesore që janë shfaqur në Kosovë janë në pjesën veriore, siç e pamë edhe në sulmet e fundit terroriste nga Serbia në Kosovë që përbëjnë një lloj potenciali për destabilizim në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht gatishmëria e lidershipit të ri është që të ofrojë mbështetje për zgjidhjen e këtij probleme dhe sigurisht kanë me kërkuar edhe rezultate konkrete meqenëse u pa që dështimet që kanë qenë me Borrell. Pavarësisht se u arrit një gjysmë suksesi me arritjen e një marrëveshje në letër, por zbatimi i saj nuk po bëhet. Sigurisht kërkesat do të jenë për rezultate”, thekson Sadiku.
Njohësja politike Magbule Shkodra shprehet optimiste se shefja e diplomacisë së re të BE-së do të ketë një qasje më përkrahëse ndaj Kosovës, sesa pararendësi i saj.
Sipas saj, kjo u dëshmua edhe në reagimin ndaj sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili furnizohet disa komuna me ujë si dhe bëhet ftohja e termocentralit Kosova B.
Shkodra: Pres qasje të re nga Kallas në raport me Kosovën
“Zonja Kallas, prej se është emëruar, tani ka filluar të ushtrojë detyrën e vet, ka shprehur një interesim të madh, posaçërisht për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket takimit ai më shumë do të jetë takim i njohjes dhe informues për të dy palët. Kosova dhe Serbia do t’i paraqesin pozicionet e veta, por edhe Kallas besoj se më shumë do të dëgjojë... Sa i përket qasjes (së BE-së) nuk besoj se do të vazhdohet me mënyrat e njëjta për të arritur rezultate. Me siguri ajo do të ndërrojë qasjen, por pritet të shohim sesi do të jetë qasja e saj drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë... Zëdhënësja e sapo emëruar e bëri të ditur se të gjithë janë që sa më parë ata që e kanë bërë këtë sulm të dalin para drejtësisë. Kjo është një mbështetje për Kosovën dhe pres që të vazhdohet në atë drejtim”, thekson ajo.
Kosova fajësoi Serbinë për sulmin terrorist në Zubin Potok, por Beograd zyrtar hodhi poshtë akuzat. BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.