Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn dhe përfaqësues të tjerë të sindikatës.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutuan tema që lidhen me nismat e ndërmarra së fundi në arsimin parauniversitar, përfshirë temat e ngritura nga SBAShK-u.
“Dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim”.
“Siç dihet, gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet tona vazhdojnë të përballen. Prandaj, një gabim i tillë nuk do të përsëritet”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Për sa i përket çështjes së pagave, Nagavci tha se kjo është e rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe sipas saj, përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit, e që siç tha ajo, “rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit”.
“Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj”.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, si dhe për trajtimin e përbashkët të çdo nisme ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.