Hoxha: Mund të priten arrestime të reja për sulmin terrorist në Varragë

Aktuale

Hoxha: Mund të priten arrestime të reja për sulmin terrorist në Varragë

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 18:07
Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se mund të ketë edhe arrestime të reja lidhur me sulmin e fundit terrorist në kanalin e ujit ‘Ibër Lepenc’.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim për J.V, i cili është i dyshuari i dytë për sulmin në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, në Varragë të Zubin Potokut.

Ndërkohë, situata në veri të vendit, pas këtij sulmi mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore të vendit, e në veçanti sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ka bërë që policia ta shtojë masat e sigurisë.

"Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, tha Hoxha për mediumin publik.

Ai tha se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka.

“Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t'iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit", shtoi ai

Policia e Kosovës, sipas Hoxhës, ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit të ‘Ibër-Lepencit’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat