Të mërkurën bëhen dy javë që kur dy të rinj nga Komuna e Podujevës u arrestuan nga Serbia derisa ishin duke siguruar drunj një kilometër afër kufirit të Merdares. Nga ajo kohë, familja i ka takuar vetëm një herë dhe nëna e 27 vjecarit thotë se nuk i ka kontaktuar askush përveç ambasadorit të Kosovës atje, Jetish Jasharit. Nga MPJD-ja nuk kanë dhënë detaje, e njohësit e drejtësisë thonë se vetëm me presion ndërkombëtar mund të sjellë llapjanët në Kosovë.
Më 20 nëntor, dy të rinj nga Komuna e Podujevës derisa po siguronin drunj u arrestuan nga shteti i Serbisë.
Arrestimi i 27 dhe 22 vjeçarit ndodhi një kilometër larg kufirit të Merdarës, në mes Kosovës dhe Serbisë.
E nga ajo kohë, nëna e njërit prej te arrestuarve, Razie Hoti thotë se nuk i ka kontaktuar askush përveç ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jasharit.
Ajo thotë se nuk di asgjë për fatin e tyre dhe avokati i tyre është serb.
Por avokati Valdet Hoxha, arrestimin e tyre e konsideron rrëmbim nga ana e Serbisë.
Sipas Hoxhës, është problem sepse Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi me shtetin serb.
Televizioni ka kërkuar detaje për këtë çështje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.