Vendimin zyrtar tashmë e kanë pranuar nga vet drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Me të, që nga dita e parë e kësaj jave, klinika e Onkologjisë duhet të punojë me dy ndërrime sa i përket dhënies së kimioterapisë.
Dhe kjo, pavarësisht rezistencës së kolegjiumit të mjekëve onkologë.
Osman Hajdari, U.D. drejtor i QKUK-së, tha se moszbatimin e vendimeve dhe të mirën ndaj pacientëve nuk duhet ta refuzojë asnjë specialist.
Ai tha se do të merren masa edhe ndaj çdo onkologu, “qoftë ai edhe drejtori i Klinikës”.
Duke pohuar se për këtë vendim janë në një linjë të gjitha instancat e vendimmarrjes që nga ministri, kreu i QKUK-së thotë se nuk i ka të qarta arsyet e refuzimit nga onkologët.
Kjo edhe për faktin se janë bërë investime të mëdha në këtë klinikë, përfshirë edhe rregullimin e kushteve të punës për stafin.
Megjithëkëtë, ndarja e pacientëve në dy ndërrime për marrjen e kimioterapisë, nuk do ta zgjasë orarin e punës as te specialistët dhe infermierët.
Për ta zbutur ngarkesën e infermierëve, tanimë teknikët e farmacisë për herë të parë do ta bëjnë përgatitjen e terapisë te pacientët onkologjikë.
Klan Kosova mëson se ky vendim nuk ka gjetur zbatim në Onkologji, as të hënën, as të martën.