Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në seancën e së martës, në gjykimin ndaj të pandehurit Jetmir Sinani, i cili akuzohet për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur në 2023-ën në Vushtrri, janë dëgjuar gjashtë ekspertë nga fusha e balistikës dhe mjekësia ligjore.
Fillimisht, në këtë seancë u dëgjua eksperti i balistikës, Qendrim Topalli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Fetije Bajrami, ai tha se gëzhojat nga dëshmia D1 deri në D7, si dhe nga dëshmia K1 deri në K8 janë gjuajtur nga e njëjta armë.
Ai tha se dëshmia D9 sipas sistemit IBIS nuk është përputhur me raste të hapura në divizion të balistikës.
Tutje, eksperti Topalli tha se nga e njëjta armë janë gjetur 13 gëzhoja, ku së paku kanë qenë 13 gjuajtje.
Tutje, u dëgjua eksperti, Fatmir Ademi, po ashtu nga fusha e balistikës, i cili tha se nga dëshmia D10.10 është fituar një profil i ADN-së por në mungesë të mostrave krahasuese nuk dihet se cilit prej personave të involvuar në rast i përket, duke shtuar se edhe nga dëshmia D19 është fituar një profil i panjohur i ADN-së, dhe se në të dy rastet dihet vetëm gjinia mashkullore.
Ai tha se profilet e gjetura të ADN-së nuk janë përputhur me asnjë profil tjetër në bazën e të dhënave të ADN-së.
Ndërsa, eksperti, Flurim Sahitaj tha se në dëshminë D10.10 nuk ka pasur vlerësim për ekzaminim daltiloskopik, për shkak se sipërfaqja ka qenë e gravuar, dhe mundësia e absorvimit të djersës apo yndyrës ka qenë shumë e vogël apo e pakët në sasi e cila do të kishte mundësuar zhvillimin dhe nxitjen e vijave papilare.
Ai tha se edhe gjerësia e sipërfaqes ka qenë shumë e vogël që edhe po të kishte vija papilare do të ishte e pamjaftueshme për ekspertim daltiloskopik.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit mjekoligjor, Naim Haliti. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Bajrami lidhur me autopsinë e tani të ndjerit F.Z. eksperti tha se vdekja e tani të ndjerit F.Z ka qenë vdekje e dhunshme, dhe vdekja e tij ka ardhur si pasojë e shokut hemoragjik.
Ai tha se tani i ndjeri F.Z ka vdekur nga plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Më pas, u dëgjua edhe ekspertja mjekoligjore, Bergita Curri, e cila deklaroi se i dëmtuari Ilmi Shaqiri ka pësuar lëndime të lehta trupore, pasi të njëjtit nuk i është prekur asnjë organ dhe nuk ka pasur të shkaktuar ndonjë pasojë tjetër nga rrugëtimi i predhës, por nëse ekzistojnë raporte të tjera mjekësore të cilat dëshmojnë lëndime të tjera, raporti ekspertues mund të ndryshojë.
Ajo tha se në raport mjekësor plaga ka qenë e përshkruar si lëndim i lehtë trupor i shkaktuar me armë zjarri.
Ndërsa, lidhur me lëndimet e të pandehurit Jetmir Sinani, ekspertja Curri tha se në rastin konkret thyerja e kockave të hundës pa e dëmtuar mukozën nuk shkakton dëmtime afatgjate, dhe në përputhje me definicionin sipas Kodit Penal, nëse nuk shkaktohet pasoja afatgjate apo e përhershme atëherë është lëndim i lehtë trupor.
Në fund, u dëgjua edhe eksperti Flamur Dylhasi. Ai tha se vdekja e tani të ndjerit L.M., ka qenë e dhunshme, dhe ka ardhur si rezultat i shokut hemorragjik i shoqëruar me dështimin multifunksional të organeve, si rrjedhojë e gjakderdhjes nga enët e mëdha të gjakut, si pasojë e predhave të hedhura nga arma e zjarrit.
Seancat e radhës për këtë rast u caktua për muajin janar të vitit 2025.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri, por ndaj tyre ishte veçuar procedura penale në Departament të Përgjithshëm – Dega në Vushtrri.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 27 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri.
Në pikën e parë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galiza dhe “Zahir Pajaziti” në Vushtrri, me dashje ka privuar nga jeta viktimat F.Z. dhe L.M.
Në aktakuzë thuhet se deri te vrasja ka ardhur pasi pas një rrahje që kishte ndodhur një ditë më herët në mes të të pandehurve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimit dhe të Fisnik Zenunit, Selami Zenunit, Ermal Selanit dhe Adonis Mjekiqit, ku pas kësaj ngjarje tani të ndjerët F.Z., dhe L.M. së bashku me të pandehurin Ilmi Shaqiri i cili e kishte drejtuar automjetin e tipit “Opel Astra” dhe kishin shkuar në rrugët e lartcekura, ndërsa me automjetin e tipit “Pikap” kishte shkuar Mergim Kameri me dy persona tjerë të panjohur.
Sipas aktakuzës, ata nga automjetet fillojnë të shtënat me armë zjarri në ajër, dhe rrahje në mes të tyre, ku në ndërkohë i pandehuri Jetmir Sinani ka shkuar në shtëpinë e tij që ishte aty afër, dhe ka marrë pushkën automatike A47 dhe ka shtënë në drejtim të automjetit “Opela Astra” dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimën F.Z dhe L.M.
Me këtë ai ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë ” nga neni 173 par.1 nënparagrafi dhe nënparagrafi 1.11 të KPRK-së.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në shtëpinë e tij, ka mbajtur në posedim armë të zjarrit dhe atë pushkë automatike AK-47 në kundërshtim me Ligjin për Armë, ashtu që arma e njëjtë, me pastaj gjatë urdhër-kontrollit është konfiskuar nga ana e policisë ne shtëpinë e te njëjtit.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së
Në pikën e tretë të aktakuzës, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri akuzohen se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve të lartcekura në Vushtrri, kanë marrë pjesë në rrahje.
Sipas aktakuzës, Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri kanë qenë në këmbë duke qëndruar mbi urë, kur dy tani të ndjerët F.Z. dhe L.M, dalin nga automjeti, dhe tani i ndjeri F.Z. fillon të gjuaj me armë zjarri në ajër, pastaj fillon rrahja me shkelma dhe boksa në mes të tyre, ku si pasojë e kësaj rrahje pësojnë lëndime të lehta trupore tani të pandehurit Jetmir Sinani, Edin Beka dhe Ilmi Shaqiri.
Me këto veprime, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së.