Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është skeptike se do të ketë progres në dialog, pavarësisht caktimit të takimit të kryenegociatorëve më 17 dhjetor në Bruksel. Sipas saj, është e vështirë që në fund të mandatit të ekzekutivit kosovar por edhe të ndërmjetësit të BE-së, Miroslav Lajçak, të ketë një kthesë të madhe drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur vitin e kaluar.
Kusari-Lila thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përfshira në hartimin e draft-statutit të Asociacionit, pavarësisht presionit ndërkombëtar që të dërgohet draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatë Kushtetuese.
Pas disa sulmeve në veri të vendit përfshirë dy sulmet terroriste atë të Ibër Lepencit dhe rasti Banjska si më të rëndat kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kushtëzuar dialogun dhe ka pasur pikëpyetje për vazhdimësinë e këtij procesi.
Kusari-Lila: Është e vështirë të besohet se do të ketë progres në dialog
“Është paksa e vështirë që të besohet që afërsisht në takimin e fundit në këtë legjislaturë apo mandat qeverisës në Kosovë mund të ketë ndonjë kthesë të madhe. S’ka ndonjë progres apo ndryshim nga qasja e Serbisë që e ka pasur në dialog. Prandaj nëse ka të bëjë me pajtueshmërinë e palëve për t’u dakorduar me rrugën përpara unë kam hezitim se mund të presim diçka shumë pozitive, si rezultat të përgjithshëm nga ajo çka kemi pasur më herët. E kam thënë edhe më herët, dihet se ku është problemi në vazhdimësi me zbatimin e marrëveshjeve dhe ngecjeve e shkeljeve që i janë bërë asaj. Adresa është në Beograd dhe presioni duhet të drejtohet atje. Tash sa do të arrihet që brenda një takimi të radhës në Bruksel të tejkalohet kjo mbetet të shihet”, thotë ajo.
Sipas saj, komunat veriore duhet të jenë të përfshira dhe të nisin themelimin e një mekanizmi si Asociacioni, andaj thekson se procesi i hartimit të një draft-statuti duhet të bëhet pas zgjedhjeve lokale në vitin 2025.
Kusari-Lila: Institucionet e Kosovës duhet të jenë të përfshira në përgatitjen e draftit e Asociacionit
“Zgjidhja është gjithmonë që institucionet e Kosovës të jenë të angazhuara në përgatitje ne draftit, dakordimin dhe vlerësimin e rrethanave edhe në teren. Mbi të gjitha një proces i tillë është paksa i vështirë të mendohet para zgjedhjeve lokale që janë në vjeshtën e vitit 2025. Duhet të ketë përfshirje edhe të komunave dhe natyrisht trajtim dhe diskutim të mirëfilltë mbi proceset përpara... Asociacioni është çështje e Kosovës. Është e vërtetë se ka qenë marrëveshje e dialogut, por në vazhdimësi zbatimi dhe kompetencat e përgjithshme dhe obligimet janë për Kosovën. Serbia përveç diskutimit në raport me komunitetijn serb në Kosovë, por përgjegjësitë të tjera nuk janë për çështjen e Asociacionit”, thekson Kusari-Lila.
Duke folur për raportet ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se dallimet e tyre janë të kapërcyeshme.
Përkitazi me këtë, ajo thekson se komunikimi në nivel të lidershipit aktual të Kosovës po vazhdon pavarësisht çfarëdolloj diference që mund të ketë.
Kusari-Lila: Dallimet e qëndrimeve mes krerëve të institucioneve janë të kapërcyeshme
“Nuk i kisha karakterizuar dallimet në qëndrime, por mendoj se është e rëndësishme që në orientimin e përgjithshëm kanë vazhduar pa dallime të gjithë krerët institucionalë të vendit. Është hera e parë që në Kosovë kemi pasur një dakordim të tillë. Kemi pas më herët krerë shtetërorë që kanë ardhur përmes një marrëveshje politike por në rrugëtim të shkurtër kanë ndryshuar kaheje dhe kanë pasur gjuhë shumë më të ashpër... Kjo prezantohet si dallime në qëndrime në temat të caktuara por nuk e shoh si diçka të pakapërcyeshme ose finale në raportet e përgjithshme. Unë e shoh të rëndësishme që funksionaliteti dhe komunikimi në nivel të lidershipit ka vazhduar nga çfarëdo diference që mund të kemi”, deklaron ajo.
Sa i përket zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe premtimeve elektorale të partive opozitare, Kusari-Lila, deklaron se të njëjtat janë të parealizueshme.
Madje, sipas saj, është për keqardhje niveli i ulët i profesionalizmit të opozitarëve që premtojnë gjëra ofenduese dhe të realizueshme për qytetarët.
Kusari-Lila: Opozitarët po bëjnë premtime të parealizueshme
“Është për keqardhje që edhe atë pak profesionalizëm që janë munduar ta mbajnë si titull me titujt e tyre akademik në njëfarë forme nëpërkëmbin me premtimet e tyre elektorale të pabëshme, para fushatës. Të gjithë e dimë sa është buxheti, të gjithë e dimë si kategoritë buxhetore janë të ndara dhe si janë mundësitë. Të premtohen rritje të pagave në vlerë 30-40 për qind nga vlera aktuale që është e linjës së pagave në sektorin publik është e parealizueshme dhe ofenduese për qytetarët. Dihet se ka më shumë kërkesa sesa që ka mundësi prandaj nuk duhet luajtur me këtë emocion, duke premtuar rritje të papërballueshme për buxhetin e vendit. Jo vetëm me pagat por edhe me kategoritë të tjera, qoftë me pensione, investime kapitale dhe projekte që kanë mundur të tregojnë edhe në nivel lokal. Mos të harrojmë se partitë opozitare sot qeverisin me komuna. Njërën e ke në kryeqytet dhe tjetrën në qytetin e dytë më të madh të vendit. Ne mund t’i shohim rezultatet e qeverisjes së tyre dhe kësaj politike që vjen me premtime astronomike. Rezultatet janë se nuk mund të menaxhojnë as një prej segmenteve më të thjeshta në nivel lokal”, përfundon Kusari-Lila.