A i kërkoi Thaçi që pjesa për bashkëpunëtorët të thoshte se ishte hipotetike? Ja si përgjigjet Sokol Bashota

Aktuale

A i kërkoi Thaçi që pjesa për bashkëpunëtorët të thoshte se ishte hipotetike? Ja si përgjigjet Sokol Bashota

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 11:40 Përditësuar në ora: 13:35 më 04.12.2024
Sokol Bashota

Bashota: S’besoj se të akuzuarit kanë shkruar komunikata të UÇK-së në 1997-ën

Sokol Bashota u pyet nga trupi gjykues sot në Hagë se a ka qenë ndonjëri prej të akuzuarve i përfshirë në shkrimin apo publikimin e komunikatave të UÇK-së me 1997-ën.

Lidhur më këtë Bashota u përgjigj duke thënë se nuk e beson pasi që sipas tij asnjëri se ka pas përgjegjësi.

“Jo se besoj. S’ka pas përgjegjësi asnjëri prej tyre në atë kohë për me e ba një gja të tillë”, tha Bashota, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, dëshmitari u përball me deklaratat e Rexhep Selimit i cili kishte thënë se gjatë 1997-ës kryesisht me komunikatat ishte merr Sokol Bashota.

“Ai ka mujt me supozu por unë nuk e kam shkru asnjë komunikatë”, tha dëshmitari.

Gjyqtari i tha Bashotes së sipas deklaratës së tij, në atë kohë Thaçin dhe Veselin nuk kanë qenë në Kosovë dhe si mund të jetë i sigurt që komunikatat nuk janë shkruar nga ata.

“Duke iu referuar pozicionit të tyre që e kanë pas në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për atë kohë. Unë nuk muj me e paragjyku asnjërin se a ka mujt apo s’ka mujt me e shkru ndonjë komunikatë, por që pozicion për me fol apo me shkru diçka për UÇK-në nuk kanë pas dhe nuk e di nëse kanë muj me shkru apo jo”, tha Bashota.

Bashota tha se kryesisht Nait Hasani dhe Xheladin Gashi janë marrë me publikimin e deklaratave nga jashtë, por që vetë ai nuk ishte marrë me gjëra të tilla.

Dëshmitari rikonfirmoi se Thaçi, Veseli dhe Krasniqi nuk ishin pjesë e Shtabit Qendror më 1997-ën. Ndërsa, për Rexhep Selimin dëshmitari tha se Xheladin Gashi përpara se të shkojë në Shqipëri i tha që duhet të jetë pjesë e shtabit tashmë edhe i akuzuari.

Megjithatë, dëshmitari tha se as Selimi nuk ka qenë anëtarë i Shtabit edhe pse mendohej që të bëhej për shkak se shtabi qendror ishte i shpërbërë.

Në anën tjetër ai tha se nuk e din që është sulmuar ndonjë druvar nga UÇK-ja në dhjetor të 1996-ës

Dëshmitarit iu shfaq një artikull gazete që ishte intervistë me Fatmir Shehollin. Ky artikull u tregua fillimisht nga mbrojtja e Krasniqit në të cilën ai thoshte se UÇK-ja nuk ia ka vrarë babain e tij.

Lidhur me këtë, dëshmitari u pyet se a e njeh Maliq Shehollin (babai i Fatmir Shehollit)  që shihej në komunikatën 28 të UÇK-së. Dëshmitari u përgjigj me ‘jo’ dhe mohoi se ka dijeni se çfarë ki ka ndodhur këtij personi, a është vrarë dhe kush e ka vrarë.

“E di që është arrestu nga Policia e Serbisë apo nga Shërbimi Sekret i Serbisë në Kosovë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk e din arsyen se pse është arrestuar.

Avokati i Veselit: Në thelb, prokurori tha se dëshmitari Bashota është i anshëm dhe i pabesueshëm

Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorit Matt Halling, mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon, deklaroi që në thelb përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), tha se dëshmitari Sokol Bashota është i pabesueshëm dhe i anshëm.

“Ju e dëgjuat sot paradite atë që zoti Halling e tha për ju, pra në fund të pyetjeve të veta. Mbase pozicioni i tij nuk ishte shumë i qartë, por në thelb ajo se çfarë tha zoti Halling është që si dëshmitar i Prokurorisë që jeni, jeni dëshmitar i anshëm, domethënë dëshmitar i pabesueshme’, tha Dixon duke iu drejtuar Bashotës.

Si rrjedhojë, Dixon tha se dëshiron që të bëhet i drejtë me dëshmitarin dhe të japë qëndrimin e vet sa i takon këtij pretendimi të prokurorit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“A keni ardhur këtu për të qenë dëshmitar i anshëm dhe për të dhënë dëshmi në favor të ndonjërit prej të akuzuarve pavarësisht si ka qenë e vërteta?”, pyeti Dixon.

Ndryshe, qëndrimi i prokurorit Halling ka mundur të jetë dhënë gjatë seancës privat. Megjithatë, Bashota tha se është i përgjegjshëm për përgjegjësitë e tij ligjore dhe është munduar ta thotë të vërtetën konform betimit të dhënë.

“Unë jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia edhe juridike edhe penale që i kam këtu dhe absolut nuk kam ardhë këtu për të mbrojtë asnjë kauzë përpos të vërtetës dhe vetëm të vërtetës komform betimit që kam dhënë.

Le t’më falin nëse vëmendja tek unë nuk është e atij nivelit për me mbajtë mend gjithçka për arsye se nuk jam marrë kurrë sa i takon pjesës së luftës mbas luftës, por realisht këtu vij me thanë për atë që di, që e kam pa dhe atë që mbaj mend”, tha Bashota.

Dëshmitari tha se është e saktë që me aq sa di dhe i kujtohet e ka thënë të vërtetën këto ditë në gjykatë.

Megjithatë, Bashota pohoi se asnjëherë gjatë këtyre seancave prokurori nuk i kishte thënë se është dëshmitar i anshëm dhe po mbante anën e ndonjërit prej të akuzuarve. Krahas kësaj,  mohoi se prokuroria i ka treguar atij ndonjë pjesë të aktakuzës ndaj katër të akuzuarve ose se çfarë përmban ajo në tërësi.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe Luka Mishetiq që përfaqëson Hashim Thaçin, i cili u fokusua tek çështja e kolaboracionistëve e gjithashtu disa pyetje ai i bëri në seancë private.

Pas Mishetiqit dhe Dixonit, pyetjet për dëshmitarin i filloi trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Bashota përballet me ndryshimet në deklaratat e tij, ZPS-ja e pyet nëse Thaçi i kërkoi që pjesa për bashkëpunëtorët të thoshte se ishte hipotetike

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sokol Bashota, të mërkurën u përballë me pyetjet e prokurorit Matt Halling lidhur me ndryshimet që ka bërë në deklaratat e tij për kolaboracionistët dhe mënyrën se si sillej Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ndaj tyre.

Në një rast, Bashota kishte thënë që deklaratat për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) kanë qenë hipotetike. Ndërsa, prokurori kërkoi informacion nga ai në rast që iu kërkua nga tani i akuzuari Hashim Thaçi për ta thënë këtë gjë ngase më herët ky dëshmitar ishte intervistuar edhe nga ekipi i mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ajo që i keni thënë mbrojtjes së Thaçit më 2022 për situatën për bashkëpunëtorët që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte kjo diçka që zoti Thaçi dëshironte që ti t’ia thuash ekipit të tij të mbrojtjes”, pyeti prokurori Halling.

Megjithatë, përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua edhe pse pyetja ishte ripërsëritur nga prokurori pasi që në një rast ai nuk u përgjigj konkretisht.

“Në këtë sallë gjyqi ju keni thënë se paragrafët 39 dhe 43 të nënshkruara TPNJ-së ishin kryesisht diçka hipotetike dhe keni thënë diçka të ngjashme në shënimet hetuese të 2022-shit që ua lexoi mbrojtja e Thaçit. Do t’iu lexoj disa pjesë: Ju keni thënë se kur dikush identifikohej si bashkëpunëtor me serbët, në Zonën Operative merreshin masa ndëshkimore ndaj tyre brenda zonës. Në raste kur kapeshin në flagrancë, në kohën që po kryenin veprimtarinë, personi në fjalë do të vritej. Shtabi i Përgjithshëm do të njoftohej lidhur me masat konkrete ndëshkimore që merreshin ndaj personit. Kjo që keni thënë ju ka qenë situatë hipoteikore?”, pyeti prokurori fillimisht.

Dëshmitari Bashota tha se nuk ka pasur informacione që kanë ndodhur gjëra të tilla gjatë asaj kohe sa ai ka shërbyer në UÇK.

“S’kam pas një informacion që ka ndodhë diku nga komandantët e zonave apo nga vetë zona për një rast të tillë”, tha Bashota.

Më pas, prokurori Halling vijoi duke i thënë se bashkëpunëtorët mund të vriteshin pasi të njoftohej Shtabi që ata ishin të tillë në rast se ata vazhdonin veprimtaritë e tyre.

“Në paragrafin 43 keni thënë: Sa i takon bashkëpunëtorëve me serbët, komandantët e zonave vepronin në bazë të raportimeve që ua jepnin ushtarët që kishin nën komandën e tyre. Pasi paralajmërohej personi në fjalë dhe pasi Shtabi i Përgjithshëm e dinte që ishte bashkëpunëtor i serbëve, ky bashkëpunëtor mund të vritej nga struktura komanduese e UÇK-së në rast që vijon me veprimtaritë e veta. Edhe kjo që keni thënë ishte hipotetike?”, pyeti sërish prokurori.

Por, dëshmitari tha se edhe përgjigja ka qenë hipotetike në këtë rast, pasi që edhe vetë pyetja ishte e tillë.

“Nuk kemi pas një ngjarje të pasqyruar kjartë që ka ndodhur në atë kohë. Thjesht u kanë hipotetike edhe përgjigja. Pyetja ka qenë hipotetike dhe përgjigja ka qenë e tillë”, tha ai.

Halling pyeti Bashotën se pse nuk kishte thënë që këto pjesë janë hamendësime para se të nënshkruante intervistën e 2006-ës me TPNJ-në, pasi që këto pjesë i janë lexuar fjalë për fjalë.

“Ne e kemi përsëritur edhe gjatë seancave përgatitore, ju e dini edhe atë presionin që e kam pas dhe numrin e madh të dokumenteve të cilat i kemi shfletuar atë ditë gjatë tërë ditës dhe duke mos i njohur mirë natyrën e procedurave të drejtësisë, realisht duke mos pas edhe një avokat prezent, nuk kam mujt me i dhënë një fokus të qartë kësaj çështje në atë kohë dhe në atë gjendje”, u përgjigj Bashota.

Krahas kësaj, prokurori insistoi prapë duke i thënë dëshmitarit që edhe gjatë seancës përgatitore kishte thënë se për TPNJ-në e ka treguar të vërtetën dhe pse nuk tha që këto paragrafë ishin hipotetikë.

“Dëshmitar, gjatë seancës përgatitore ju thatë që TPNJ-së i keni treguar të vërtetën dhe të gjitha korrigjimet që bëtë gjatë seancës përgatitore janë bërë vullnetarisht dhe çdo gjë është zbardhur dhe incizuar dhe ju thatë që nuk kishe asnjë korrigjim për deklaratat përmbledhëse përveç transkriptave të TPNJ-së. Pse ju nuk thatë kur e patët mundësin që këta paragrafë ishin hipotetike?”, tha prokurori.

Dëshmitari u përgjigj duke thënë se nuk i ka kushtuar shumë rendësi kësaj pjese.

“Se nuk i kam kushtu rëndësinë. Nashta ka edhe shumëçka tjetër që është dashtë me ba, por që nuk kam mujt me e qit fokusin pikërisht tek kjo”, tha ai.

Po ashtu, edhe në fillim të dëshmisë së tij, kur iu prezantuan deklaratat, Bashota kishte pohuar se ato pasqyrojnë të vërtetën dhe pikërisht atë që do ta thoshte gjatë dëshmisë së tij. Kjo u vu sërish në fokus nga prokurori.

“Kur filluat dëshminë në këtë sallë gjyqi, pse thatë që deklarata e TPNJ-së pasqyron pikërisht atë që do të thoni në këtë sallë gjyqi kur këto paragrafë paskan qenë thjesht situata hipotetike?”, tha prokurori.

Për këtë, dëshmitari u arsyetua me mosnjohjen e natyrës dhe terminologjisë juridike. Si rrjedhojë, insistoi se këto pjesë kanë qenë situata hipotetike.

“Nuk e njoh natyrën dhe terminologjinë juridike dhe në çfarë momente duhet të përdoren këto, por realisht thjesht ju kam përgjigj saktë që ka pas situata hipotetike gjatë kësaj deklarate që e kam dhënë për Tribunalin aty”, tha Bashota.

“Pse nuk thatë gjatë pesë orëve që iu bëra unë pyetje dhe ju bëra pyetje për dëshminë që keni dhënë për TPNJ-në, pse nuk thatë që situatat janë thjesht hipotetike?”, tha prokurori tutje.

Në përgjigje të kësaj, dëshmitari tha se nuk është pyetur nëse këto situata kanë qenë hipotetike ose jo kur është marrë për pesë orë në pyetje nga përfaqësuesi i ZPS-së në sallën e gjyqit.

“Nuk janë të gjitha situatat hipotetike në atë deklaratë, por pjesë të asaj pyetjeve dhe përgjigjeve kanë qenë hipotetike. Nuk ma parashtruat atë pyetje nëse kanë qenë ose jo gjatë atyre pesë orëve, prandaj edhe unë ka mundësi që nuk më ka shku ndërmend që muj me e thanë atë”, tha prokurori.

Prokurori Halling pyeti gjithashtu dëshmitarin se pse nuk i kishte treguar ZSP-së që kishte folur me ekipin mbrojtës të Thaçit lidhur me dëshminë e tij.

“Pse nuk ia keni përmend Prokurorisë që keni fol me mbrojtjen e Thaçit për aspekte që mbulohen në dëshminë tuaj?”, tha prokurori.

Megjithatë, Bashota u përgjigj  duke thënë se nuk e ka pyetur askush për këtë çështje.Më pas, prokurori i prezantoi dëshmitarit një shënim përgatitor, ku kishte thënë që dëshminë e tij nuk e kishte diskutuar me askënd përveç familjarëve të ngushtë dhe askush nuk e ka pyetur për këtë çështje.

“Ajo që  i keni thënë mbrojtjes së Thaçit më 2022-shin për situatën për bashkëpunëtorët që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte kjo diçka që zoti Thaçi dëshironte që ti t’ia thuash ekipit të tij të mbrojtjes”, tha prokurori.

Dëshmitari u [përgjigj se ekipin mbrojtës të Thaçi e ka konsideruar si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe që intervistën e kanë realizuar në zyrën e tyre.

“Unë ekipin mbrojtës të zotit Thaçi e konsideroj si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe nuk e kam mendu që duhet me tregu se vërtetë që kam diskutu edhe me ta. Unë ia kam bërë një pyetje mbrojtjes të zotit Thaçi kur më kanë ftu nëse kjo është brenda kuadrit ligjor të kësaj gjykate dhe nëse unë mundem me iu përgjigj kësaj gjykate ma thuani ju si avokatë dhe si profesionalistë. Ata më kanë dhënë garanca që mundesh me fol për ato që realisht ti di dhe për neve është gjithçka okej. Nuk kam bisedu me askënd për këtë çështje të zotit Thaçi, por drejtpërsëdrejti intervista është bërë në një lokal apo zyre ku ata e  kanë pas dhe është kry aty”, tha ai.

Më pas, prokurori tha se nuk po përpiqet të thotë që ka gabuar mbrojtja e Thaçit, por që dëshmitari nuk po i përgjigjet pyetjes së tij kështu duke ia ripërsëritur sërish atë.

Megjithatë, përgjigja e Bashotës nuk u dëgjua dhe si rrjedhojë prokurori kërkoi që të kalohet në seancë private, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Përpara krejt kësaj, dëshmitari u përballë me një deklaratë të William Walker lidhur me arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit, duke i shpjeguar ata si me duar të lidhura kur u bë shkëmbimi edhe i gazetarëve serbë.

Dëshmitari tha se ai nuk i ka parë Cen Deskun dhe Jakup Kastratin tek vetura të lidhur me duar pasi që kur ka ardhur vetura, Bashota veçse ka qenë në vendin e ngjarjes.

Kurse, për Sabri Kiçmarin, tha se kanë qenë së bashku pjesë e një partie.

“E njoh. E kam taku mas luftës dhe ka qenë pjesë e partisë të cilës i kam takuar edhe unë”, u shpreh Bashota.

Dëshmitari tha se nuk e di se çfarë roli ka pasur Kiçmari në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

Megjithatë, Kiçmari në një intervistë kishte thënë se UÇK-ja përveç ushtrisë serbe, luftonte edhe personat që bashkëpunonin me autoritetet e Serbisë, ndaj të cilëve merreshin aksione. Nga ajo çka lexoi prokurori Halling, Kiçmari kishte thënë procedura ndiqej nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Ai gjatë luftës në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë. Nuk e di sa ka mujt ai me fol për këto çështje për kohën e luftës. Ndërsa, ata që e kam thënë gjatë seancës përgatitore unë i qëndroj asaj”, tha Bashota për Kiçmarin.

----

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë vendosur që dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave të thirren pasi të përfundojë dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Trupi gjykues urdhëron se dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të thirren pasi të përfundojnë dëshmitarët e ZPS-së dhe pasi të jenë nxjerrë parashtrimet, argumentet dhe vendimi që ka të bëjë me parashikimet e Rregullës 130 dhe përpara se të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ai po ashtu tha se të gjitha palët janë pajtuar që çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet, pasi të jetë marrë vendimi sa i takon pikave të aktakuzës dhe si rrjedhojë e dha edhe një urdhër të tillë.

“Çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet pasi të jetë bërë vendimi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Smith.

Përpara kësaj, trupi gjykues në fillim të seancës tha se do të jepen disa urdhra me gojë para se të vijë dëshmitari Sokol Bashota. Megjithatë, urdhri i parë u bë në seancë private për publikun. E në seancë publike, u pranua një provë materiale, e cila ishte përdorur me këtë dëshmitar, e po ashtu edhe me dëshmitarin tjetër.

Po ashtu, është kundërshtuar pranimi në prova i një dokumenti për të cilin ZPS-ja kishte argumentuar se është i LPK-së që flet për taktikat, intelegjencën që pretendohet që të jetë marrë nga forcat serbe në Kosovë dhe t’i jetë dhënë TPNJ-së.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë dokument sa i takon mospërmbushjes së rregullave që ndërlidhen me autenticitetin, autorësinë dhe origjinën.

Kryesisht, edhe urdhrat e tjerë kishin të bënin me pranimin dhe kundërshtimin e disa provave materiale të tjera.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat