Kryeministri Kurti diskuton për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc me Ndihmës Sekretarin O'Brien

Aktuale

Kryeministri Kurti diskuton për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc me Ndihmës Sekretarin O'Brien

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 13:36
Pamje nga takimi

Kryeministri Albin Kurti është takuar në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Zyra e Kryeministrit tha se theksi i diskutimit ishte sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, u shpreh kryeministri”, thuhet në njoftim.

Kurti i ka treguar O’Brien se “në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”, siç njofton ZKM.

“Sulmi i të premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”, thotë ZKM.

Në takimin me O’Brien, ZKM thotë se Kurti përmendi edhe arrestimin dhe ekstradimin e Milan Radoiçiqit.

“Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Kurti falënderoi Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat