Mbi 10 mijë studentë kosovarë kanë përfituar nga projektet e Erasmus+ për arsimin e lartë në vitet 2015-2024. Në shpalosjen e projekteve të Erasmus+ për Kosovën u vlerësua roli i këtij institucioni për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë në Kosovë.
Zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, tha se programet Erasmus+ kanë ofruar mundësi të reja për stafin akademik dhe studentët në Kosovë.
Sipas tij, institucionet e arsimit të lartë kanë përfituar rreth 700 projekte nga Erasmus+ në ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit.
Ademi: Programet Erasmus+ kanë ofruar mundësi të reja për stafin akademik dhe studentët në Kosovë.
“Më shumë se 20 institucione të arsimit të lartë dhe profesional nga Kosova janë përfitues të skemave Erasmus+ në thirrjen e vitit 2024. Nga viti 2015 prej kur ekziston zyra e Erasmus+ në Kosovë, ne kemi pasur rritje të vazhdueshme në përfitim të mobilitetit dhe projekteve, pasi trendi gjithmonë ka qenë në rritje... Po ashtu në periudhën 2015-2024, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë përfituar 75 projekte në ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë. Më shumë se 700 projekte për mobilitetin ndërkombëtar të kredive dhe njëmbëdhjetë institucione të arsimit të lartë kanë fituar kartën Erasmus”, tha ai.
Në anën tjetër, shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Johannes Madsen, tha se ngritja e mobilitetit për studentët pasqyron integrimin në rritje të Kosovës në komunitetin akademik evropian.
Madsen: Këto të dhëna pasqyrojnë integrimin në rritje të Kosovës në komunitetin akademik evropian
“Nga viti 2015 deri në vitin 2024, më shumë se 10 mijë studentë dhe staf akademik, kanë përfituar nga aksioni i Lëvizshmërisë Ndërkombëtare të Kredive. Ky moment historik pasqyron integrimin në rritje të Kosovës në komunitetin akademik evropian... Kjo tregon se sa i përkushtuar është Bashkimi Evropian për të mbështetur arsimin në Kosovë në të gjitha nivelet, që nga fëmijëria e hershme, deri te arsimi bazë dhe arsimi i lartë”, tha ai.
Krahas këtyre, u potencua edhe bashkëpunimi për promovimin e arsimit profesional.