“Lajmërohet përsëri “Rezistenca Çetnike”/ Driton Tali: “Dora e Zezë” atëherë dhe tash!

Aktuale

“Lajmërohet përsëri “Rezistenca Çetnike”/ Driton Tali: “Dora e Zezë” atëherë dhe tash!

Nga: A.SH Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 15:28
Driton Tali

Analisti Driton Tali, ka thënë se me gjendjen e cila është krijuar sot në Kosovë dhe me sulmet e reagimet serbe ndaj Kosovës, e krahason me organizatën çetnike "Crna Ruka" ose "Dora e Zezë".

Sipas tij, ajo organizatë edhe atëherë ka sulmuar gjoja për të mbrojtur popullin serb, edhe tash “lajmërohet përsëri "Rezistenca Çetnike" e cila don që ta mbrojë popullin serb nga "gjenocidi i Kurtit" me sulme terroriste si në vaktin e Apisit. Për koiçidencë apo jo, në kohën kur Putini është në ofanzivë në Ukrainë”.

Shkrimi i plotë:

"Crna Ruka" atëherë dhe tashti

Ka fundi i shekullit 19, në Serbi filluan të krijohen disa çeta paramilitare, të stërvitura nga ushtria e policia, të cilat ndërmerrnin sulme terroriste në territorin e Vojvodinës së sotme (atëhere pjesë e Austrohungarisë) dhe "Serbisë së Vjetër" - Vilajetin e Kosovës.

Ato sulme i arsyetonin me argumentin se "popullata serbe në ato territore po torturohej nga gjermanët e hungarezët në Vojvodinë dhe turqit e arnautët në "Serbinë e Vjetër", andaj ata po hakmirren".

Njësiti i parë çetnik zyrtarisht u krijua në Beograd, në vitin 1903, nën patronazhin e gjeneralit Jovan Atanackoviç, në atë kohë ministër i Mbrojtjes i Mbretërisë së Serbisë dhe një nga aktorët kryesorë të komplotit që përmbysi dinastinë Obrenoviç. Kur, me 11 qershor 1903, u vranë mbreti Aleksandër dhe mbretëreshës Draga, për t'i sjellë në pushtet dinastinë Karagjorgjeviç.

Ndëra financues, pos shtetit, ishin edhe pasunikët serbë, si bie fjala Lluka Çeloviç, serbi më i pasur në atë kohë.

Aksionit e shumta terroriste të çetave çetnike sidomos në Vilajetin e Kosovês bënë jehonë. Andaj filluan edhe me krijimin e strukturave parashtetërore serbe, të cilat do të funksiononin paralelisht me strukturën administrative turke. Në këtë aspekt kisha serbe dhe kleri dhanë kontributin kyç.

Ashtu që në korrik të vitit 1905, Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Serbisë i mori në dorë të gjitha temat e Organizatës Çetnike, duke i rritur kështu perspektivat për suksesin e saj.

Periudha nga korriku 1905 deri në korrik 1908 ishte e mbushur me luftërat e çetave çetnike kundër civilëve shqiptarë, por edhe atyre njësiteve kaçake që luftonin për çlirim nga Perandoria Turke.

Aktivitetin e çetave çetnike e karakterozonte edhe influenca ruse: sa ma shumê që forcohej globalisht Rusia cariste çetat çetnike i shpeshtonin sulmet terroriste.

Sa kalonte koha çetat çetnike fuqizoheshin edhe më shumë, derisa në Maj të 1911'ës, krijuan organizatën sekrete "Bashkim ose vdekje", që në histori ngeli e njohur me "Dora e Zezë" (Crna Ruka). Organizatori kryesor ishte natyrisht, njeriu më me influencë në ushtrinë serbe, koloneli Dragutin Dimitrijeviç - Apis.

Vula e organizatës përbehej nga një dorë që mbante një flamur të shpalosur me kokën e kufomës dhe kockat e kryqëzuara, një thikë, një bombë, një shishe me helm dhe mbishkrimi "Bashkim ose vdekje".

Edhe pse ishte sekrete, grupi kishte mbështetjen e heshtur të autoriteteve serbe, veçanërisht në rrethin rreth trashëgimtarit të fronit, Aleksandar Karagjorgjeviq.

Duke qenë se mbreti i atëhershëm Petar Karagjorgjeviç ja kishte borxh fronin Apisit (i cili e udhëhoqi aksionin e vrasjes së mbretit Aleksandër Obrenoviç) dhe shoqërisë përreth tij, ai u siguroi atyre vende në oborr dhe në gardën mbretërore.

"Dora e Zezë" ishte organizatë terroriste e cila për synim kishte "bashkimin e tokave serbe" ("Srpski Svet'in" e atëhershëm apo "Otvoreni Ballkanin" që nihej me emrin "Ballkani, popujve ballkanikë").

Kjo organizatë i stërviti dhe armatosi edhe pjestarët e organizatës tjetër terroriste "Bosnja e Re", e cila bëri atentat në trashëgimtarin e Fronit, Franz Ferdinandin, për çka siç dihet filloi Lufta e Madhe.

Pikërisht nën presionin e "Dorës Zezë", Serbia hyri në dy luftërat ballkanike (1912-1913), në të cilat fitoi dhe u zgjerua territorialisht.

Anëtarët e “Dorës së Zezë” tentuan madje të vrisnin edhe mbretin grek Gjorgjin e Parë, i cili si danez që ishte, ishte edhe progjerman.

Dhe ja tashti lajmërohet përsëri "Rezistenca Çetnike" e cila don që ta mbrojë popullin serb nga "gjenocidi i Kurtit" me sulme terroriste si në vaktin e Apisit. Për koiçidencë apo jo, në kohën kur Putini është në ofanzivë në Ukrainë.

Nuk thuhet kot se "tradita është udhërrëfyesi i shtyrë thellë në mendjet tona - tradita jemi ne"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat