Shasha për mediat serbe: Vuçiq mbështet sulmet terroriste në veri

Aktuale

Shasha për mediat serbe: Vuçiq mbështet sulmet terroriste në veri

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 18:48
Demush Shasha

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka folur lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin Ibër – Lepenc, duke bërë fajtor presidentin serb Aleksandar Vuçiq, për të gjitha aktet terroriste në veri të Kosovës.

Ai thotë se përkundër faktit se ende nuk ka të dhëna përfundimtare lidhur me këtë rast, ajo që është një fakt i pakundërshtueshëm është se në përputhje me definicionin e Bashkimit Evropian, i cili sulmin terrorist e përkufizon si sulm që synon “frikësimin serioz të popullatës” dhe “destabilizimin apo shkatërrimin serioz të strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo sociale të vendit” shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenac sigurisht që është.

“Në këtë kuptim, minimi i kanalit Ibër- Lepenc me qëllim të ndërprerjes së furnizimit me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të Kosovës është një akt terrorist që ka pasur qëllim të përcaktuar qartë për destabilizimin serioz të themeleve ekonomike dhe sociale të vendit dhe duke shkaktuar frikësimin serioz të popullsisë. Kjo është edhe arsyeja që Bashkimi Evropian reagoi kaq shpejt dhe e cilësoi këtë krim si sulm terrorist”, pohon Shasha, duke shtuar se e vetmja gjë që mbetet e paqartë është se kush qëndron pas sulmit.

Shasha, në një prononcim për “Danas” vlerëson se sulme të tilla planifikohen dhe kryhen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë, gjë që e bën shumë të vështirë zbulimin dhe se ka frikë se nuk do të marrim kurrë përgjigje për pyetjen se kush qëndron pas kësaj.

“Mirëpo, përveç emrave të autorëve të sulmeve, një gjë është shumë e qartë: politika dhe veprimet specifike të presidentit Vuçiq kanë krijuar një mjedis politik dhe të sigurisë që inkurajon dhe mbështet akte të tilla. Për shembull, Vuçiq e lavdëroi  Radoiçiqin si luftëtar për liri dhe terroristët e Banjskës si rojtarë të atdheut”.

“Ai e shpalli Kosovën nën okupim total dhe zyrtarët e Kosovës i quajti nazistë gauleiters. Ai [Vuçiqi] e krahasoi kryeministrin Kurti me Hitlerin dhe paralajmëroi se gjërat nuk përfundojnë kurrë mirë për një pushtues. Për më tepër, ai bëri thirrje për rezistencë paralajmëroi Perëndimin se ‘ne do të presim momentin më të mirë dhe do të shfrytëzojmë mundësinë tonë’. E kërcënoi Perëndimin me pasoja që nuk i keni parë ende dhe paralajmëroi se do të ketë edhe më shumë konflikte”, tha Shasha.

Ai  thekson se kur kësaj situate i shtohen marrëdhëniet e ngushta me Rusinë dhe sigurinë shtetërore ruse, kjo pasqyron qartë përgjegjësin e Vuçiqit për atë që ndodhi me shpërthimin ne kanalin e Ibër Lepencit.

“Ai personalisht ka udhëhequr një politikë armiqësore ndaj Kosovës, në kuadër të së cilës janë rrëmbyer policë të Kosovës, është sulmuar KFOR-i, është kryer një sulm terrorist në Banjskë, është vrarë polici Agim Bunjaku dhe janë kryer disa sulme me granata dore në territorin e Kosovës”.

“Prandaj, me retorikën e tij nacionaliste dhe inflantile, me aktet e tij të dhunshme dhe marrëdhëniet e tij malinje me Rusinë, Vuçiq krijoi një mjedis të rrezikshëm të sigurisë në veri të Kosovës, ku mbështeten dhe promovohen veprime si bombardimi i Ibër – Lepencit. Kjo është arsyeja që sot, edhe pse nuk e dimë se kush është autori i sulmit në Ibër – Lepenc, mund të themi me siguri se Vuçiq mban përgjegjësi të plotë për krijimin e një mjedisi politik dhe të sigurisë që inkurajon dhe mbështet akte të tilla”, tha Shasha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat