Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur listën përfundimtare me 110 kandidatët për zgjedhjet nacionale më 9 shkurt 2025.
Këshilli i LDK-së ka aprovuar sonte nominimet e degëve, përkatësisht të 33 degëve të kësaj partie për kandidatët e listës së ndryshimit.
Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së, tha lista e kësaj partie ka njerëz të duhur e profesionalë, të aftë për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme me vendin.
“Republika e Kosovës sot gjendet në udhëkryq historik. Shtyllat e saja identitare, nga demokracia e shprehja e lirë, nga ëndrra euroatlantike deri tek mbajtja e njerëzve mes nesh, janë vënë bast në zaret e fateve politike të papërgjegjshme. Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, porpaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim – nxitësit e urrejtjes - e shijojnë me plot zell”, tha Abdixhiku.
Ai ka theksuar se “ndarja kombëtare ka arritur nivele të paimagjinueshme historike, ku hijet e së shkuarës na errësojnë të ardhmen që nuk po e bëjmë dot dhe një shoqëri kaq e copëtuar e në kaq urrejtje duhet fillimisht të shërojë veten.”
Abdixhiku shtoi se me LDK-në në qeverisje do të ketë një Kosovë të vetme dhe prosperuese, pasi qytetarët janë të lodhur nga retorika boshe, nga premtimet e paplotësuara nga qeveria aktuale.
“E kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne, sepse, kjo rrugë s’bëhet pa ne, këtë rrugë na takon ta bëjmë ne,” ka porositur ai.