Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të merr pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri Kurti do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.
“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq.
Në tetor, Kurti kishte deklaruar se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim duke nisur nga 1 janari 2025.
Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve nuk është ratifikuar ende në Parlamentin e Bosnjës, pasi ajo po kundërshtohet nga Republika Serbe, e udhëhequr nga partia e Milorad Dodikut pro-rus.
Kosovarët që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza “që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme”, dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërsa pagesa për vizë është 31 euro.
Për qytetarët e BeH-së që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb.
BeH nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit të Republikës Serbe.