Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkurën ka shpallur listën përfundimtare me 110 kandidatët për zgjedhjet nacionale më 9 shkurt 2025.
Në këtë listë nuk figuron asnjë kandidatë nga komuna e Skenderajt dhe Drenasit, përjashtim bënë përfshirja e deputetes Marigona Geci – tashmë e regjistruar nga komuna e Vitisë.
Për mungesën e kandidatëve nga Skenderaj e Drenasi në listën e LDK-së ka shkruar edhe analisti, Xhevdet Pozhari.
Ai ka thënë se plani është i thjeshtë pasi duan të rivalizojnë me bastionet e partive tjera opozitare.
Sipas tij ka një bashkëpunim të heshtur që ta sfidojnë në secilën komunë Vetëvendosjen, e jo të zhvillojnë betejë me njëra – tjetrën.
„Plani është i thjeshtë! Nuk duan të rivalizojnë me bastionet e partive tjera opozitare. Janë koncentruar në Prishtinë, Podujevë, Gjilan dhe Pejë. Nga komunat më të vogla do të angazhohen të marrin vota në Lipjan, Suharekë e Dragash. Partitë e tjera opozitare përqendrimin do ta kenë në komunat tjera. PDK-ja do të synojë bastionet e saj të vjetra dhe Mitrovicën. Do të luftojë për Prizrenin. AAK, Gjakovën, Deçanin, Rahovecin dhe Malishevën. Pra, ka një bashkëpunim të heshtur që ta sfidojnë në secilën komunë Vetëvendosjen, e jo të zhvillojnë betejë me njëra – tjetrën. Strategji lehtësisht e lexueshme. Krejt bashkë kundër Albin Kurtit“, ka shkruar ai.
Zyrtarizimi i listës së kandidatëve për deputetë nga LDK u bë pasditen e sotme. Në këtë nuk është përfshirë as deputeti aktual, Agim Veliu – i cili ka pasur përplasje me Abdixhikun.