Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ka aprovuar listën finale të 110 kandidatëve për deputetë.
Në këtë listë për herë të parë, LDK ka 36% të kandidatëve gra. E njëra ndër to është dhe kandidatja për deputete nga Ferizaj, Bahrije Hyseni.
Hyseni ka falënderuar LDK-në dhe liderin e saj Lumir Abdixhiku, për besimin e dhënë. Ndërsa ka thënë se me shumë besim dhe vendosmëri, do të jetë zëri i çdo qytetari dhe çdo gruaje në veçanti.
“Kosova dhe Ferizaj, të gatshëm që të bëjmë ndryshimin. Që nga sot, edhe zyrtarisht, jam pjesë e listës së kandidatëve për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e 9 shkurtit. Falemnderit z. Abdixhiku dhe të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për besimin tuaj në mua. Do të jem zëri i çdo qytetari dhe çdo gruaje në veçanti, me shumë besim e vendosmëri. Ajo çfarë ka ndodhur dikur, ka ndodhur dhe nuk mund të ndryshohet, por ajo që mund të ndryshohet është që vota e LDK-së mos t’i besohet dikujt tjetër. Të bëhemi bashkë që të votojmë LDK-në dhe mua si deputete, e të bëhemi pjesë e ndryshimit në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Padyshim kjo është lista e ndryshimit, kjo është lista e kandidatëve që do t’i sjellin Kosovës “Rrugën e Re”, ka thënë Hyseni.