Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, opozita kundër

Aktuale

Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, opozita kundër

Nga: Bota sot Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 06:49 Përditësuar në ora: 19:28 më 05.12.2024
Kuvendi i Kosovës

​Kalon në parim Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Kuvendi i Kosovës, me 62 vota pro, ka miratuar në parim Projektligjin për lojërat mesdhetare Prishtina 2030, në seancën e sotme plenare.

Ky projektligj u konsiderua një moment historik nga ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili tha se zhvillon sportin në Kosovë si dhe është një mundësi unike për të përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare. Për këtë projektligj, deputetët e mazhorancës votuan që të shmanget rregullorja për miratim.

Me miratimin e këtij projektligji Lojërat mesdhetare shpallen çështje me interes të veçantë publik për Kosovën, duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka në dimensionet ekonomike, sportive dhe diplomatike. Ky projektligj shënon një moment historik për zhvillimin e sportit në vend dhe një mundësi unike për të përmirësuar imazhin tonë në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Krahas kësaj, Kuvendi dështoi të miratojë sërish në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, si dhe Projektligjin për gjendjen civile, pasi në votim morën pjesë vetëm 45 deputetë. Në seancë plenare ishin vetëm deputetët e shumicës parlamentare.

Në lidhje me dështimin e miratimit të këtyre projektligjeve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se seanca e sotme mund të jetë e fundit e kësaj legjislature, andaj të njëjtat rrezikohet të kthehen në pikën zero.

“Të nderuar deputetë, të keni parasysh se për këto projektligje që s’kemi kuorum këto i kalojnë seancës tjetër kurdo që e organizojmë atë. Nëse kemi mundësi edhe një në këtë legjislaturë, nëse jo dihet se çka ndodh me ato pastaj”, tha ai.

​Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 60 vota pro, asnjë kundër dhe vetëm një abstenim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se konfirmimi kushtetues i konfiskimit civil është ndër çështjet më të rëndësishme si një instrument legjitim për luftën kundër korrupsionit.

Haxhiu: Konfiskimi civil – instrument legjitim në luftën ndaj korrupsionit

“Për të sqaruar, Qeveria nuk ka përpiluar një projektligj të ri, por vetëm janë adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën. Një ndër çështjet më të rëndësishme është konfirmimi i kushtetutshmërisë së konfiskimit civil, si një instrument legjitim dhe proporcional për luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, pra një arritje e madhe e shtetit të së drejtës. Çështjet kryesore të adresuara përfshin retroaktivitetin e ligjit, nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm, gjithashtu përfshin përbërjen e komisionit mbikëqyrës në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve. Sa i përket çështjes së retroaktivitetit të ligjit, si një nga çështjet kryesore të kësaj nisme Gjykata Kushtetuese nuk e ka refuzuar parimisht retroaktivitetin, por ka theksuar se ai duhet të zbatohet me kujdes duke respektuar parimin e proporcionalitetit ”, tha Haxhiu.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se ky dokument është me elemente kundërkushtetuese, dhe si i tillë nuk duhet të kalojë për miratim.

Selmanaj: Projektligji për Byronë Shtetërore me elemente kundërkushtetuese

“Tani, ne e kemi një draft tjetër, dhe themi përsëri se ky dokument është me elemente kundërkushtetuese. E mendojmë në tre çështje kryesore, e para ka të bëjë me drejtorin e këtij institucioni, përkundër që Komisioni i Venecias ka thënë që është mirë të mendohet për një udhëheqje kolegjiale jo nga një person i vetëm, megjithatë qeveria insiston përsëri që të jetë një person i vetëm... Është deformim serioz, substancial i sistemit institucional kushtetues që kemi ndërtuar në Kosovë. Kjo i bie që një parti politike që do t’i fitojë zgjedhjet këtë institucion me lehtësinë më të madhe e kthen në instrument krejtësisht të persekutimit të kundërshtareve e politik, kjo nuk ju duhet as juve as vendit. Duhet të bëjmë çmos që vërtet ta ndalojmë këtë... Asnjëherë nuk duhet askush të lejojë që për qëllime të mëdha për vendin ta deformojmë funksionimin kushtetues dhe ligjor të institucioneve”, tha Selmanaj.

Ndaj deputetit Selmanaj ka reaguar ministrja Haxhiu e cila akuzoi opozitën se nuk e dëshiron konceptin e konfiskimit civil.

Haxhiu: Opozita nuk e dëshiron konceptin e konfiskimit civil

“Po diskutojmë, po debatojmë, po argumentojmë për vite me radhë, që dy vite, madje shumë vite më herët, sepse edhe si opozitë ne e kemi propozuar këtë ligj në Kuvend, por situata është e qartë - LDK dhe e gjithë opozita nuk e do konceptin e konfiskimit civil - kjo është e vërteta. Çdo tjetër që thuhet në këtë foltore është vetëm fasadë me të cilën unë nuk kam interes të merrem. Në emër të qeverisë ju lutem ta votoni këtë projektligj dhe ta çlirojmë Kosovën nga të korruptuarit dhe nga ata të cilët kanë abuzuar me detyrën zyrtare dhe nga ata të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Për këtë Selmanaj ka thënë se padituria është “këmbëkryq” në Ministrinë e Drejtësisë, e cila sipas tij, nuk kanë argumente profesionale.

Selmanaj: Padituria është këmbëkryq në Ministrinë e Drejtësisë

“Jemi në fund të mandatit, por padituria është këmbëkryq në Ministrinë e Drejtësisë - nuk kanë argumente profesionale për të diskutuar. Unë prita argumente profesionale”, tha Selmanaj.

​Miratohet në parim projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Me 61 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënvizuar se me këtë projektligj po rregullohen çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve, të cilat do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen.

“Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ky proces tashmë është i pakthyeshëm dhe si të tillë jemi duke nisur edhe sot në këtë mbledhje. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë po përcaktohen rregulla për listën e barnave të rimbursuara që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët e veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Kësi lloj buxheti që ndahet për shëndetësinë do t’i shtohet edhe kontributi i secilit prej nesh nga të hyrat personale”, tha Vitia.

Ministri Vitia tha se ky është një moment i rëndësishëm për ngritjen e sistemit shëndetësor në nivel të ri.

“Konsideroj që ky është një moment vendimtar për vendin tonë, për marrëdhënien qytetar-shtet, dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat e qeverisë sonë dhe po japim mbështetje më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen, qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e shpenzimeve për çështje të shëndetit. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare, individuale dhe familjare. Me këtë ligj shtohet edhe një burim i qëndrueshëm i rritjes së buxhetit të shëndetësisë publike, kjo do të na jep një frymëmarrje për investime afatgjata në pajisje inovative, në infrastrukturë moderne”, ka thënë Vitia.

Deputeti nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta ka kërkuar që ky projektligj të sigurojë sigurim të plotë shëndetësor nga shteti për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Projektligji në fjalë ka përjashtuar nga mbulimi i plotë i sigurimit të një kategori jashtëzakonisht të ndjeshme të shoqërisë siç janë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ata, ato sot kanë nevojë për ne, ju po e shihni është kërkesë e KRCT-së ka qenë kërkesë e jashtëzakonshme edhe e presidentes së Republikës së Kosovës. Për këtë fund-vit, projektligji ka përcaktuar që pagesa e kontributit nuk do të realizohet me automatizëm si për kategoritë e caktuara më lart, por varësisht nga statusi i varfërisë së individit. Këtë kategori ne njëherë po kërkojmë të varfërohet e më pastaj ta mbulojmë. Duke njohur ndjeshmërinë e kësaj kategorie njëherësh pasojat afatgjate të dhunës seksuale të përjetuara gjatë luftës në shëndetin fizik dhe mendor të viktimave në fjalë, gjatë shqyrtimit të mëtejmë të këtij projektligjit kësaj kategorie duhet t’i mundësohet sigurimi i plotë shëndetësor i financuar nga shteti”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se tashmë si qeveri e kanë adresuar këtë çështje. Sipas tij viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës do të gëzojnë sigurime të plota shëndetësore të mbuluara nga shteti.

“Një temë e ndjeshme si kjo tashmë është adresuar dhe tashmë qeveria veç më e ka përgatitur amendamentin dhe po kjo kategori kaq e ndjeshme do të jenë të mbuluara nga shteti. Dhe tash po besoj që në mbledhjen e Komisionit i cili do të paraqitet ky amendament po shpresoj shumë që edhe anëtarët e nderuar për shëndetësi do ta votojnë këtë amendament dhe do të procedojmë në leximin e dytë“, tha ai. 

Gruaja e Liburn Aliut e nipi i Besnik Bislimit emërohen anëtarë të Bordit në KOSTT

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka emëruar anëtarët e Bordit të kompanisë publike në KOSTT. Rejhane Zylfija, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka janë zgjedhur anëtarë të Bordit të ndërmarrjes publike Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut. Ndërsa, kryesues me më së shumti vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Tosuni. KosovaPress ka mësuar nga burimet e saj se Lumnije Zeka është bashkëshortja e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Gëzim Tosuni, nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, të përzgjedhur sot si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it.

KosovaPress ka tentuar të kontaktoi zëvëndëskryeministrin Bislimi dhe ministrin Aliu, por nuk janë përgjigjur në telefon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se me 58 vota, Tosuni zgjidhet si kryesues i Bordit të KOSTT-it.

“Drejtorë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, zgjedhën, Rejhane Zylfijaj, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka. Kurse, me 58 vota, si kryesues i Bordit të KOSTT-it zgjidhet Gëzim Tosuni”, tha Konjufca.

Në votim morën pjesë gjithsej 62 deputetë.

Nuk shkarkohen anëtarët e Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që të mos i shkarkojë nga pozita anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Birol Urcan, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdijinac, janë të vetmit anëtarë në këtë pozitë.

Kjo pasi dy të tjerëve u ka skaduar mandati dhe dy të tjerë kanë dhënë dorëheqje.

Për shkarkimin e tyre, kishte propozuar Partia Demokratike e Kosovës.

Fillon me vonesë seanca, partitë opozitare lëshojnë sallën

Me një orë vonesë, ka filluar sot seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 31 tetor dhe 4 nëntor 2024.

Me këtë rast, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë lëshuar sallën për shkak të vonesave në vazhdimin e seancës.

Gjithashtu në rend dite është propozimi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, votimi i disa projektligjeve.

Poashtu edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.

Vonohen deputetët në seancën e Kuvendit, Konjufca reagon ndaj mazhorancës

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ishte paraparë të nis në orën 10:00, mirëpo ende ajo nuk ka nisur për shkak të mungesës së kuorumit.

Për këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po kërkon që mos të caktohen mbledhjet e Komisioneve Parlamentare në ditën e enjte kur është në agjendë seanca e Kuvendit.

Konjufca: Mos caktoni komisione të enjten sidomos në orën 10:00

“Tre komisione parlamentare janë duke mbajtur mbledhje për trajtimin e disa projektligjeve, por i kisha lutur dhe iu kisha bërë thirrje sidomos mazhorancën që mos të caktoni mbledhje të komisioneve kur është pikërisht seanca. Ju e keni këtë orë të caktuar të seancës qysh në mbledhjen e kaluar të kryesisë, e keni ditur edhe më herët për agjendën e Kuvendit. Prandaj, të jeni të kujdesshëm herave të tjera mos na caktoni komisione pikërisht në orën 10:00, ditën e enjte”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës sot mban edhe një seancë prej orës 14:00 me pika të tjera të rendit të ditës, e një ndër to është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Kuvendi sot me dy seanca, rreth 50 pika në rend dite

Kuvendi i Kosovës sot do t`i mbajë dy seanca plenare. E para që është vazhdim me pika të mbetura nga tetori e nëntori dhe e dyta seancë e re.

Në të parën do të shqyrtohen 27 pika të rendit të ditës ndër to edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në seancën e dytë e cila do të fillojë nga ora 14:00 do të jenë për shqyrtim 28 pika të rendit të ditës ndër to marrëveshje ndërkombëtare, projektligje në lexim të parë e në lexim të dytë.

Përveç seancës, deputetët këtë të enjte do të kenë angazhime edhe në komisione. Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës janë paraparë të mbahen mbledhje në katër komisione parlamentare.

I pari takim do të jetë nga ora 09:00 ku Komisioni për Administratë Publike do të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Ndërkaq, Komisioni për Legjislacion do të shqyrtojë Planin e Performancës të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për  vitin 2025.

Komisioni për Ekonomi do të shqyrtojë raportin me rekomandime në lexim të dytë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.  Gjithashtu do diskutohet “Vendimi i Presidentes lidhur me kthimin në rishqyrtim të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe do të formojë panelet për procesin intervistues për plotësimin e pozitave vakante në ARRU dhe NP KOSTT.

Mbledhja tjetër do të jetë e Komisionit për Buxhet aty ku do të bëhet shqyrtimi i raportit me rekomandime për lexim të dytë i Projektligjit për Bankat, ai në parim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat