Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme është takuar në Bruksel me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Ky është takimi i parë mes tyre që prej se Kos ka marrë detyrën e re.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka deklaruar se sulmi në kanalin kryesor të Ibër Lepencit ishte sipas rregullave të lojës së Rusisë, e cila sipas tij, sulmoi infrastrukturën kritike të Ukrainës.
Kurti ka thënë se kështu është shprehur në takimin që realizoi me komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Në një postim në platformën X, Kurti thekson se kërcënimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fund.
“Dje në Bruksel takova Komisioneren e re të Zgjerimit @MartaKos dhe e urova për postin e ri. Diskutuam marrëdhëniet Kosovë-BE dhe avancimin tonë demokratik dhe progresin socio-ekonomik. Theksova rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për bashkëpunimin rajonal dhe theksova se kërcënimet e sigurisë duhet të marrin fund dhe ata që janë përgjegjës për sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike duhet të mbajnë përgjegjësi. Sulmi ishte sipas rregullave të lojës së Rusisë, e cila sulmoi infrastrukturën civile kritike në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne e ngremë alarmin për aleancën e Rusisë me Serbinë, ka shkruar Kurti.
Kryeministri thekon se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave të Bashkimit Evropian dhe Planit të Zgjerimit, dhe se mezi presin që të marrin pyetësorin e Këshillit të BE-së për anëtarësim.
“Mezi pres të bashkëpunoj me Kos për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Kurti.
Kurti po zhvillon një mori takimesh me drejtuesit e rinj të institucioneve në BE.