Kush është Bashkim Smakaj, i arrestuar nga Gjykata e Hagës?

Aktuale

Kush është Bashkim Smakaj, i arrestuar nga Gjykata e Hagës?

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 12:00
Bashkim Smakaj në AKI

Bashkim Smakaj është arrestuar mëngjesin e së enjtes, me urdhër të Prokurorit të Dhomave të Specializuara. Ai ka qenë drejtori i parë i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, e më pas u emërua edhe këshilltar politik në kabinetin e Hashim Thaçit sa ishte president.

Detyrën si shef i AKI-së, Samaj e mori më 4 shkurt të vitit 2009, nga Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës.

Rrugëtimi i tij në AKI u përcoll me shumë dritë-hije, derisa më 6 janar të vitit 2016 Smakaj ishte detyruar të japë dorëheqje.

Arsyeja kryesore për të cilën ishte shkarkuar Smakaj ka qenë rasti i të miturit Erion Zeka për të cilin AKI kishte thënë se e ka kthyer nga Siria, derisa nuk kishte lidhje fare me këtë operacion.

Kthimin e tij e kishte bërë një xhihadist i Kosovës që kishte vendosur ta braktiste Sirinë.

Gjatë udhëheqjes së Smakajt në AKI, ka ndodhur arrestimi i dy zyrtarëve të lartë të AKI-së nga autoritetet turke me të dalë nga aeroporti i Stambollit, tetorin e vitit të vitit 2015.

Pas dorëheqjes nga AKI-ja, Smakaj kishte marrë një pozitë të rëndësishme në kabinetin e presidentit Thaçi.

Smakaj ishte emëruar si këshilltar politik i Thaçit, gjë e cila atë kohë figuronte në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.

Në tetor të vitit 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës Speciale në Hagë e kishte bastisur shtëpinë Bashkim Smakajt.

Pas bastisjeve në pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se këto operacione në Kosovë janë kryer në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij ishin sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë dokumente dhe telefona.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat