Vëllai i heronjve Fahri e Bahri Fazliut, Fadil Fazliu, i cili po intervistohet që nga orët e mëngjesit në zyrat e EULEX-it, nuk ka mundur të takojë as djalin e tij, Fahri Fazliun, dhe as avokatin, Skender Musa.
Djali i tij Fahriu ka tentuar dy herë ta takojë babain, por nuk është lejuar.
Ndërkohë, gjatë ditës Gjykata Speciale ka arrestuar edhe komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-ministrin Hajderin Kuçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të enjten ka konfirmuar se po kryen operacione në Kosovë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me personat e arrestuar.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.