Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun- vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut.
E për këto çështje, i ftuar në emisionin “Ditari” ka diskutuar avokati, Xhevdet Smakiqi i cili ka thënë se këto arrestime janë të paarsyeshme dhe të panevojshme.
Smakiqi thotë se Zyra e Prokurorisë Speciale, sipas tij më shumë e ka taktik, për t`i siguruar dëshmitarët që udhëtojnë për në Hagë.
“E çuditshme sepse dyfishimi i të akuzuarve apo të dyshuarve nënkupton se Zyra e Prokurorit Special në Hagë më shumë po iu kushton rëndësi këtyre veprave penale të cilat po pretendohen se po ndodhin, dhe se këto vepra penale në aspektin juridik legalisht ata kanë të drejtë të dyshojnë mirëpo numri masiv dhe arrestimet që po i bëjnë janë të paarsyeshme dhe të panevojshme. Zyra e Prokurorisë Speciale mendoj që më shumë e ka taktik për të siguruar dëshmitarët që vijnë në Hagë. Në urdhrin apo aprovimin e kërkesës në mbrojte për liri dhe dorëzani që i ka jap 30 mijë euro, ka qenë me siguri edhe në listën e kushteve se çfarë aktiviteti nuk mund të bëjë Isnik Kilaj dhe e kemi parë në aktivitetet politike, por ka qenë edhe detyrë e mbrojtësit t`a këshillojë”, ka deklaruar Smakiqi.
I pyetur se pse këta personat e arrestuar ende mbahen në Zyrën e EULEX-it në Prishtinë dhe nuk kanë udhëtuar për në Hagë, avokati tha se kjo është më shumë procedurë logjistike.
Avokati shtoi se Zyrtarët e EULEX-it dhe Njësive të Specializuara të EULEX-it janë ekip që mbështesin Dhomat e Specializuara, ku sipas tij përfundojnë me disa formalitete si kontroll mjekësore, përmbushje dhe plotësime të formularëve.
Madje, ai kritikon Zyrën e Prokurorisë Speciale, pasi sipas tij kjo zyrë ka pasur mundësi të re alternative për të arrestuarit.
“Kjo është më shumë procedurë logjistike, ku përmes Zyrtarëve të EULEX-it, Njësive të Specializuara të EULEX-it që janë ekip për ta mbështetur Dhomat e Specializuara i përfundojnë disa formalitete, ndoshta edhe kontroll mjekësore, përmbushjen apo plotësimin e ndonjë formulari, një kontakt iu jepin me familje dhe udhëtojnë për në Hagë, unë e konsideroj tërësisht të paarsyeshme sepse edhe Zyra e Prokurorit Special ka mundur shumë lehtë të kërkoj një masë tjetër alternative edhe për këta të tre të arrestuar sot, pra ka mundur të jetë arresti shtëpiak, ndalimi i që t`i afrohet personit të caktuar, nuk e shoh të nevojshme që për këto vepra penale të ketë arrestime dhe të kemi gjykime, por që ka buxhet të mjaftuar nga Këshilli i Evropës atëherë ata nuk po kanë hezitim, sepse krijojnë edhe shpenzime për të paraburgosurit”, shtoi ai.
Ndërkaq, i pyetur edhe për bastisjen e shtëpisë së ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Smakiqi nuk beson që mund të ketë kryer ndonjë vepër penale Kuçi, ngase sipas tij ai ka kontribuar për shtet-ndërtimin dhe sigurimin e vendit.
Madje, ai ka theksuar se Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së, për të sulmuar personalitetin e ish-presidentit, Hashim Thaçit.
“Nuk besoj që mund të mendoj dikush në Kosovë, që Hajredin Kuçi mund t`a kryejë një vepër penale sepse janë personalitete të cilat i kanë kontribuar shtet-ndërtimit dhe sigurisë, unë e di që Kuçi janë shumë të fortë në dijen e tyre për t`a vendosur veprimet e tyre në kufijtë e një kriminimi apo vepre penale, prandaj e shoh një gjah për ta sulmuar personalitetin edhe më shumë të ish-presidentit Hashim Thaçit”, ka theksuar Smakiqi.