Në seancën e së enjtes ka përfunduar dëshminë ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sokol Bashota. Gjatë seancës sërish pati vërejtje të avokatëve për pyetjet e gjyqtarëve. Kjo nuk është hera e parë që mbrojtja e të akuzuarve është ankuar për anshmëri të gjyqtarëve.
Në një letër të përbashkët ditë më parë është shprehur kjo pakënaqësi ndaj trupit gjykues. Po ashtu janë përmendur pyetjet sugjestive si problem. Pas Bashotës dëshmoi dëshmitari i 110-të në këtë proces. E, Specialja njoftoi se procesi pritet të rifillojë më 13 janar 2025
Edhe në seancën e së enjtes në Speciale mbrojtja e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së është ankuar për animin e gjyqtarëve.
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, pyetjet e gjyqtarit Guenawl Mettraux për dëshmitarin Sokol Bashota i ka konsideruar sugjestive.
Reagimi i avokates Alagendra u bë kur ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UÇK-së po pyetej lidhur me një intervistë të Azem Sylës në tetor të vitit 1999.
Në atë intervistë Syla i ka përmendur 9 emra të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe “një shok tjetër”.
Alagendra ka thënë se gjatë marrjes në pyetje nga Mettraux, ai është munduar të paraqesë që “personi tjetër” ka qenë Krasniqi.
“U bë një pyetje nga gjykatësi Metraux që ishte shumë sugjestive, që ishte shumë orientuese dhe pyetja kishte të bënte me ‘kolegun tjetër’ ose ‘shokun tjetër’ se kush ishte ky”, ka thënë Alagendra.
Avokatja e Krasniqit e pyeti Bashotën se a ka mundësi që “personi tjetër” i përmendur në intervistën e Sylës të ketë qenë Nait Hasani.
“A pajtoheni me mua se fakti që Nait Hasani ka qenë në duart e serbëve, i arrestuar, në burg, ka qenë një arsye e fortë se pse emri i tij nuk është dhënë në mënyrë publike dhe nuk është përmendur shprehimisht nga Azem Syla në atë intervistë?”, ka pyetur ajo.
E Bashota nuk e mohoi si mundësi.
“Ka të ngjarë. Por, përderisa është intervista e Azem Sylës nuk mundem të komentoj për qëllimin. Nëse e ka pasur këtë qëllim, atëherë për mua është një qëllim fisnik”, ka thënë ai.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që mbrojtja e të akuzuarve është ankuar për anshmëri të gjyqtarëve.
Në një letër të përbashkët ditë më parë, është shprehur kjo pakënaqësi ndaj trupit gjykues. Po ashtu janë përmendur pyetjet sugjestive si problem.
Ndërkohë Bashota ka thënë se në vitin 1997 nuk e ka konsideruar Rexhep Selimin pjesë të Shtabit të Përgjithshëm.
“Në qoftë se merret se Rexhep Selimi, në qoftë se merret ose konceptohet nga kjo gjykatë, është pranuar si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm me një fjalë të Xheladin Gashit – Plakut, kur ka shkuar për Shqipëri, atëherë unë dhe Rexhep Selimi kemi qenë në vende të ndryshme gjatë asaj periudhe të luftës, por unë nuk e kam konsideruar anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, përderisa nuk është zgjedhur nga një forum apo grup”, ka thënë ai.
Pasi Bashota përfundoi dëshminë, në vendin e tij u ul një dëshmitar i mbrojtur.
Dëshmia e tij u dha në seancë të mbyllur.
Prokurori Cezary Mihailzcuk në përmbledhjen e lexuar ka thënë se dëshmitari ishte ndaluar dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së e që si rrjedhojë ka dëgjuar edhe britmat e personave të tjerë që, sipas tij, keqtrajtoheshin.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 110-të në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjykimi pritet të rifillojë më 13 janar 2025.