Një ditë para se Sindikata e Arsimit të mbajë protestën në Prishtinë, Ministria e Arsimit i thirri në takim.
E në këtë takim ishte prezentë edhe vetë ministrja Nagavci.
Temë diskutimi pa dyshim ishte edhe kërkesa e SBASHK-ut për kontratën kolektive.
Për këtë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit dolën edhe me një komunikatë.
“Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, si dhe për trajtimin e përbashkët të çdo nisme ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Republikës së Kosovës”, u tha nga MASHTI.
Por takimi nuk shkoi më së miri.
Anëtari i kryesisë së SBASHK ka treguar detaje rreth bisedës që patën me të paren e Ministrisë së Arsimit.
“Kemi pas ftesë nga zëvendësministri i arsimit dhe jemi taku me zëvendësministrin, ministren edhe me drejtorin e arsimit parauniversitar. Në një takim të shkurtër shumë të shkurtë për shkak se ministrja nuk kishte kohë me tepër, nuk ka pas asnjë përparim vetëm sipas të gjitha gjasave ish ftesë e takimi mos me majtë protestën në realitet Ministrja tha që nuk ju thamë mos me majtë protestën se e di që nuk me dëgjoni”, u shpreh Ymer Ymeri nga SBASHK.
Kurse për kontratën kolektive, Ymeri tregon se cila ishte përgjigja nga ministrja e arsimit.
“Nuk pat gatishmëri me arsyetimin se është fushatë. Ne i thamë që fushatë është edhe për provimet që po bëni, edhe për rritjen e pagave, por realiteti fushata fillon në janar. Nëse kemi vullnet dhe gatishmëri krejt këto do të kryhen para se të kryhet fushata”, tha ai.
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja kërkon që komunikimi ndërmjet Ministrisë dhe SBASHK të jetë më i strukturuar.
“Ajo çfarë i rikujtojë të dyja palët veçanërisht Qeverinë është se Sindikata janë partner social i Qeverisë prandaj edhe një komunikim me i strukturuar i vazhdueshëm me ta i shërben mbi të gjitha interesave të sistemit arsimor. Pasi po flasim për përfaqësues të një komuniteti mësimdhënësve prej 23 sosh, të cilët e kanë një zë, kanë të drejtat e tyre dhe ai zë i tyre duhet të dëgjohet”, tha Qehaja.
SBASHK po kërkon nënshkrimin e kontratës kolektive që mundëson benifite mësimdhënësve që punojnë në institucionet në Kosovë.