​Maratona në Kuvend, kalojnë 10 projektligje në lexim të dytë - njëri në seancë urgjente

Aktuale

​Maratona në Kuvend, kalojnë 10 projektligje në lexim të dytë - njëri në seancë urgjente

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 23:53 Përditësuar në ora: 00:00 më 06.12.2024
Kuvendi i Kosovës

Kusari-Lila falënderon deputetët për sonte: Qëndruam stoikisht 14 orë, miratuam 18 Ligje

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mbajtur një fjalim mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kjo për siç tha ajo se qëndruan stoikisht për 14 orë duke mirautar 18 ligje.

”Një falënderim për të gjithë ju deputetë e fundit që keni qëndru në sallë stoikisht për 14 orë. Sot kemi miratu 18 ligje. Kemi votu 5 raporte”.

”Ju priftë e mbara, me këtë mundemi me thanë që kemi pasë një ditë shumë të suksesshëm”.

Tutje edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, pati një vlerësim të tij.

”Faleminderit edhe administratës së Kuvendit që qëndruan deri në orët e vona me ne”.

Seanca në orë të vona, Tahiri: S’ka logjikë, është kontrabandim i ligjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri duke folur në kuvend për senancën në këto orë të vona, tha se kjo nuk ka asnjë logjikë.

Madje ai shtroi pyetjen se “a ia ka mësy dikush Kosovës”, duke shtuar se një gjë e tillë nuk ka arsyeshmëri.

"Unë bashkë me kolegun tim, Pal Lekaj, po vijmë prej Novosellës të Gjakovës, pyetja e parë është a ia ka mësyrë dikush Kosovës, a Rusia, a Kina a, çka jenu duke bërë. Iu lutem, kjo nuk ka asnjë arsyeshmëri, a jeni duke e ditur se çka jeni duke bërë, qysh more seancë të jashtëzakonshme në pikë të natës, pa kurrfarë arsye, po nuk ka as Kina, as Rusia, as luftë nuk ka, të sigurt jeni, mos u tutni, apet mbledheni, apet mund t’i bëni 62 deputetë a sa i keni”, u shpreh ai.

Tahiri gjithashtu tha se seanca në këto orë, sipas tij është një kontrabandim i ligjeve.

"Po kjo nuk ka asnjë logjikë, e vetmja arsye pse jemi sonte këtu bashkë me Palin është sinqerisht me u thënë se kjo nuk ka asnjë logjikë, asnjë argument, është kontrabandim i ligjeve, shmangie me procedurë të shpejtë pa kurrëfarë mundësie. Ne nuk ishim këtu, ne e bëm një veprim politik. Sinqerisht këtë porosi deshtëm me e jep edhe me u thënë se kjo nuk ka asnjë kuptim, është një kontrabantim dhe një puq parlamentar si shumicë, po përfundoi, kaq e keni”, u shpreh tutje ai.

​Maratona në Kuvend, kalojnë 10 projektligje në lexim të dytë - njëri në seancë urgjente

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet në orët e vona të mbrëmjes, me praninë e vetëm të deputetëve mazhoritarë, për miratimin me procedurë të përshpejtuar të një sërë projektligjesh në shqyrtim të parë dhe të dytë, njërën prej të cilave u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme.

Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika, por ajo zgjati deri rreth orës 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes për shmangie të afateve të caktuara për hedhjen edhe në shqyrtim të dytë të një sërë projektligjesh për të cilat u tha se janë me rëndësi për votim.

Në lexim të dytë u miratua Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligji për shërbimin e pagesave, dhe Projektligji për provimin e maturës shtetërore.

Kryetari Glauk Konjufca në vazhdim propozoi seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës, pas sigurimit të nënshkrimeve të 40 deputetëve nga mazhoranca, për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për gjykatën administrative, e cila mori votat e 62 deputetëve të pranishëm.

Pas seancës urgjente, deputetët vazhduan me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, në të cilën Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për 2022 nuk mori votat e nevojshme, ndërsa u miratua Projektrezoluta tjetër për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për vitin 2023.

Kuvendi kaloi në të dyja leximet edhe Projektligjin për financimin efinancimin e menaxhimit të resurseve ujore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, pas takimeve të komisioneve parlamentare përkatëse.

Deputetët kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksës për investime vjetore prej 0.30 për qind dhe asaj operacionale prej 0,047 për qind për 2025, rregulloren e punës së komisionarit parlamentar për FSK, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike me plotësim-ndryshime, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, si dhe atë për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve sociale, teksa raporti vjetor i ndërmarrjes publike KOSTT për 2023 nuk u miratua në mungesë të kuorumit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat