Gjykata Specialja dje ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliu. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme është bastisur edhe shtëpia e ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Lidhur me këto arrestime në emisionin “Dita e re”, ka folur djali i Fadil Fazliut, Fahriu.
Ai ka rrëfyer momentin e arrestimit të babait të tij, të cilin e ka quajtur ‘kidnapim’.
“Dje në mëngjes rreth orës 8 duke shkuar në punë babai im Fadili, e kishin pa fqinjët se ishin kanë 3-4 xhipa të EULEX-it me uniforma dhe më thirren duke me thënë se ka diçka rreth banesës së juaj… edhe u afrova e nuk pash asgjë, ngase vetëm e kishin kidnapua, arrestu edhe kur thirra në telefon tij nuk i beri telefoni dhe shkova te zyrat e tyre që i kanë në Fushë Kosovë, po thanë se këtu është mirë është, por nuk dhënë asnjë detaj tjetër”, ka thënë ai.
Fazliu ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë informacione se përse është arrestua babai i tij.