Një javë nga sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, krejt çka u tha për kaq ditë

Aktuale

Një javë nga sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, krejt çka u tha për kaq ditë

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 10:34
Pamje nga Ibër Lepenci

Një shpërthim që  ndodhi të premten e kaluar në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit dhe është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tejmase edhe furnizimin me energji elektrike. Kosova ka akuzuar Serbinë dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që shteti serb të mbahet përgjegjës për këtë sulm

Policia e Kosovës tha se në sulm janë përdorur 15-20 kilogramë eksploziv.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se është e qartë që kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar dhe të cilët kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese.

Policia e Kosovës gjatë bastisjeve që pasuan ka konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Pas sulmit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiqin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj.

Në orët e vona të asaj nate u mblodh Këshilli i Sigurisë. Ky Këshill ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajësoi “bandat kriminale serbe” për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.

“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike”, tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhe maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.

Sulmi u dënua ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier,  ka quajtur të tmerrshëm sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit të premtën mbrëma.

Pas  një takimi që pati me kryeministrin Kurti, ambasadori amerikan tha se SHBA-ja e dënon ashpër sulmin ndaj infrastrukturës së Kosovës, ku u rrezikuar furnizimi me energji, ngrohje dhe ujë të pijshëm.

Hovenier theksoi se SHBA-ja mbështet një hetim gjithëpërfshirës dhe shtoi se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen.

Ai tha se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua të them atë që kemi thënë tashmë, se ne e dënojmë sa më shumë që të jetë e mundur këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike të vendit, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm. Shtetet e Bashkuara mbështesin një hetim gjithëpërfshirës. Ne i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë autoriteteve të Kosovës në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës. Këto veprime të dhunshme janë të pafalshme”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se “incidenti serioz në Zubin Potok mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”. Ai kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm.

Ndërkaq, mbasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se dënon fuqishëm sulmin që prek “komunitetet gjithandej Kosovës”.

“I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të keqbërësve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t’i mbështesë autoritetet kosovare”, është shprehur ai.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi “sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës”. Ai tha se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës”, dhe se “incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.

Bashkimi Evropian më vonë në një deklaratë e ka dënuar dhe e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

“Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës”, u tha në deklaratën e BE-së.

BE e ka quajtur sulmin “një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.

Si pasojë e sulmit vazhdon të ketë reduktime të ujit të pijshëm në disa komuna të vendit.

Deri më tani 10 persona janë arrestuar për sulmin sabotues-terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”, por  aktualisht vetëm dy të dyshuar ndodhen paraburgim prej 30 ditësh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat