Familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, kanë reaguar pas arrestimit dhe bastisjeve që ndodhën ditën e djeshme në Kosovë.
Përmes një shkrimi të gjatë, familja Imeri i kundërpërgjigjet mediave të opozitës, të cilat këto arrestime po i përshkruajnë si “sulme ndaj Kosovës”.
“Arrestimet legjitime nga Gjykata Speciale përshkruhen ne disa media si “sulme ndaj Kosovës” apo “terrori i tribunalit”, ndërsa të akuzuarit – përfshirë figura të njohura politike – glorifikohen si “heronj kombëtarë”. Këto narrativa shpërfillin faktin se personat e akuzuar po përballen me akuza për krime që nuk lidhen me luftën për çlirim, por shpesh me rivalitete politike apo përfitime personale”, shkruan familja Imeri.
Në reagim tutje thuhet se, shoqëria jonë duhet të çlirohet nga mitet që glorifikojnë individë të përfshirë në krime dhe që legjitimojnë pengimin e drejtësisë.
“Në vend që të përqafojë narrativa që mbrojnë të dyshuarit si “viktima”, Kosova duhet të përqendrohet në mbrojtjen e viktimave të krimeve, qofshin ato shqiptarë apo të tjerë. Arrestimet e fundit janë një thirrje për reflektim të thellë. Drejtësia nuk është as kundër Kosovës, as kundër heronjve të saj të vërtetë. Ajo është kundër atyre që kanë abuzuar me pozitën, kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar imazhin e vendit”, shkruan tutje familja Imeri.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq,
-Arrestimet dhe bastisjet e fundit të kryera nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nxjerrë në pah një çarje të thellë mes përceptimit publik dhe realitetit juridik.
-Në një klimë ku mediat, pjesëtar të luftës hibride dhe figura të ndryshme publike e politike vazhdojnë të stigmatizojnë Gjykatën Speciale dhe Perëndimin.
-Eshtë jetike të shqyrtohen me gjakftohtësi rrënjët e kësaj fushate propagandistike dhe ndikimi i saj në shoqërinë kosovare.
-Gjykata Speciale, ndryshe nga narrativat e përditshme që qarkullojnë në shumë media dhe forume publike, nuk është një “instrument hakmarrës i Perëndimit”.
- Ajo u krijua me vendim të Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, pas kërkesave amerikane-europiane dhe si reagim ndaj raportit të Dick Marty-t, i cili ngriti akuza të rënda për krime të luftës dhe pas luftës.
-Qëllimi i kësaj gjykate është të ndjekë penalisht individët e përfshirë në krime kundër njerëzimit dhe rivalëve politikë, pavarësisht nga pozita apo statusi i tyre, duke siguruar drejtësi për viktimat.
-Fatkeqësisht, në vend që të shihet si një mundësi për ta çliruar Kosovën nga hija e krimeve të paadresuara, ajo shpesh keqinterpretohet si një sulm ndaj vlerave kombëtare dhe lirisë së Kosovës.
-Një pjesë e madhe e mediave kosovare kanë adoptuar një diskurs që shpërfill faktet dhe krijon narrativa të deformuara.
-Arrestimet legjitime nga Gjykata Speciale përshkruhen ne disa media si “sulme ndaj Kosovës” apo “terrori i tribunalit”, ndërsa të akuzuarit – përfshirë figura të njohura politike – glorifikohen si “heronj kombëtarë”.
-Këto narrativa shpërfillin faktin se personat e akuzuar po përballen me akuza për krime që nuk lidhen me luftën për çlirim, por shpesh me rivalitete politike apo përfitime personale.
-Një nga aspektet më shqetësuese është tendenca për të sulmuar Perëndimin – partnerët kryesorë që ndihmuan në çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës.
-Akuzat ndaj shteteve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare, sikur janë ato që “shkatërrojnë” Kosovën.
-Kjo fushatë propagandistike shpërfill faktin se pikërisht këta aktorë ndërkombëtarë ndihmuan në ndalimin e gjenocidit serb dhe krijimin e shtetit të pavarur.
-Në vend që të vlerësohet përpjekja për zbardhjen e krimeve dhe ndarjen e drejtësisë, një pjesë e klasës politike dhe mediatike e trajton Gjykatën Speciale si një mjet hakmarrjeje kundër Kosovës.
-Kjo qasje dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit dhe minon përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik të bazuar në sundimin e ligjit.
-Problemi i vërtetë qëndron në mungesën e edukimit të publikut mbi rëndësinë e drejtësisë dhe ndarjen e saj nga politika.
-Shoqëria kosovare duhet të çlirohet nga mitet që glorifikojnë individë të përfshirë në krime dhe që legjitimojnë pengimin e drejtësisë.
-Në vend që të përqafojë narrativa që mbrojnë të dyshuarit si “viktima”, Kosova duhet të përqendrohet në mbrojtjen e viktimave të krimeve, qofshin ato shqiptarë apo të tjerë.
-Arrestimet e fundit janë një thirrje për reflektim të thellë. Drejtësia nuk është as kundër Kosovës, as kundër heronjve të saj të vërtetë.
-Ajo është kundër atyre që kanë abuzuar me pozitën, kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar imazhin e vendit.
- Nëse shoqëria kosovare dëshiron të ecë përpara, duhet të pranojë të vërtetat e pakëndshme dhe të mbështesë drejtësinë pa u ndikuar nga emocionet dhe propaganda.
-Sepse, në fund, vetëm përmes të vërtetës, Kosova mund të fitojë respektin dhe të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme.
-Shoqëria kosovare duhet të kuptojë kalvarin e vuajtjeve dhe të vërtetën e viktimave.
-Shteti nuk bëhet me hile, dhe këtë po na tregon narrativa e Gjykatës Speciale.