Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Aktuale

Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 15:53
Ilustrim

Lista Serbe partia më e madhe e serbëve të Kosovës njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.

Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.

Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe th: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat