Flasin nga Specialja: Aktakuzë e re ndaj Thaҫit, Smakajt, Fazliu, Kilajt e Kuçit

Aktuale

Flasin nga Specialja: Aktakuzë e re ndaj Thaҫit, Smakajt, Fazliu, Kilajt e Kuçit

Nga: H.O. Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 19:48
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale ka dalë me një njoftim të ri sa i përket rastit të Hashim Thaҫit dhe të tjerëve.

Gazeta Bota sot ka pyetur Specialen nëse arrestimet dhe bastisjet e fundit kanë të bëjnë me rastin e Thaҫit dhe të tjerëve, në përgjigje thonë se është konfirmuar aktakuza kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

Tutje thuhet se, të akuzuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët.

“Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje. Në aktakuzë, të akuzuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”, thuhet nga Specialja.

Tutje në këtë përgjigje thonë se Z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

“Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua z. Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar. Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë. Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë. Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet më tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat