Endrit Shala, kandidat për deputet nga NISMA Socialdemokrate ka reaguar ndaj zhvillimeve të sotme në Dhomat e Specilaizuara të Hagës, ku është ngritur aktakuzë e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Isni Kilajt, e Bashkim Smakajt.
Ai tha se Gjykata Speciale po vazhdon përpjekjet për të njollosur luftën tonë çlirimtare dhe për të përndjekur padrejtësisht ata që luftuan për lirinë e Kosovës.
Sipas tij po bëhet përsekutim i padrejtë.
“Ky përsekutim i padrejtë, i turpshëm dhe i papranueshëm duhet të ndalet menjëherë! Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet simbol i sakrificës, krenarisë kombëtare dhe vlerave më të larta të lirisë, asnjë gjykatë nuk mund të deformojë këtë të vërtetë historike. Heshtja e Kuvendit të Kosovës përballë këtyre padrejtësive është po aq e papranueshme sa veprimet e kësaj gjykate. Deputetët e Kuvendit, veçanërisht ata të Komisionit Legjislativ, kanë dështuar të mbikëqyrin zbatimin e ligjit dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Është koha e fundit që ata të kalojnë nga fjalët boshe në veprime konkrete, është obligim ligjor dhe moral përballë popullit dhe sakrificës së dëshmorëve. Mjaft më me heshtje dhe neglizhencë”, shkroi ai.