Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj thotë se Kosova duhet të stopojë pjesëmarrjen në dialogun e Brukselit, derisa të ketë një rishikim strategjik të BE-së për këtë proces. Sipas saj, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, dhe atij në Banjskë vitin e kaluar, dialogu në kornizat aktuale duket i pakuptimtë.
Ajo nuk sheh diçka konkrete as në takimin e 17 dhjetorit që pritet të zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Kp ajo thotë se dialogu nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe emisarit Miroslav Lajçak, s’ka dhënë asnjë rezultat deri tani.
Haradinaj: Kosova do të duhej të stopojë pjesëmarrjen në dialog derisa të ketë një rishikim strategjik të BE-së
“Më shumë më duket se bëhet për të thënë se ekziston një dialog aktiv dhe të mos eskalohet në sulme më të rënda. Pra të menaxhohet kriza, sesa të arrihet një qëllim diplomatik më afatgjatë që do t’i përafronte shtetet...Kosova do të duhej të stopojë pjesëmarrjen së paku derisa të ketë një rishikim strategjik me qeverisjen e re të Bashkimit Evropian. Dialogu deri tani s’ka dhënë rezultatet e saj, madje palët s’dakordohen se ka një dakordim për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Sulmi në Banjskë ishte pikërisht për shkak të dështimit të dialogut të Brukselit”, thotë ajo.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës nuk duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga
Bashkimit Evropian, në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht insistimit të faktorit ndërkombëtar për diçka të tillë.
Haradinaj: Qeveria nuk duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese
“Nuk mendoj se qeveria është kompetente dhe ka mandat kushtetues që të formojë asociacione. Këtë nuk e parasheh ligji dhe as Kushtetuta. Qeveria duhet të insistojë që të ketë apo të bëhet një asociacion siç është ai i Kosovës. Ata të bëjnë vet draft-statutin, të shkojnë të aplikojnë, dhe jo Kosova të bëjë një draft...Kjo duhet të sqarohet nga qeveria dhe institucionet e Kosovës. Nëse ndërkombëtarët e duan një ndryshim të Kushtetutës së Kosovës le të kërkojnë një dekret të qeverisë. Një dekret është jashtë kushtetues. Këtë e thonë të gjithë ekspertët kushtetues...E ka kryer një herë Gjykata Kushtetuese atë process në vitin 2015, ku e ka hedhur poshtë”, deklaron Haradinaj.
Një gjë e tillë, sipas Haradinajt nuk duhet të ndodh as me kushtëzimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Andaj, ajo thotë se Kosova duhet të pres një moment më të mirë gjeopolitik dhe mos të pranojë kushtëzime për anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare.
Haradinaj: Kosova duhet të pres një moment më të mirë gjeopolitik për anëtarësim në Këshill të Evropës
“Anëtarësimin në Këshill të Evropës ne e meritojmë. Kosova i plotëson kushtet, por tash ne duhet të presim në një situatë më të mirë gjeopolitike dhe në të ardhmen të mos lejojmë kushtëzime të tilla me kritere politike, të një procesi puro teknik”, thekson Haradinaj.
Duke folur për raportet me aleatë, ajo thotë se qeveria Kurti ka dëmtuar të njëjtat, mirëpo, sipas saj, jo pa riparim.
Haradinaj: Qeveria Kurti ka dëmtuar raportet me aleatë
“Janë dëmtuar raportet, jo pa riparim, pasi kjo nuk mund të ndodh, pasi raportet me aleatë janë të bazuara në një histori të gjatë. Në një shtetformim dhe stopimit të një gjenocidi i cili ka qenë duke vazhduar në Kosovë. Janë popujt tanë që i mbajnë të forta këto lidhje, mirëpo Kosovës i është humbur kohë dhe ky është dëmi që i është bërë Kosovës. Kosova i ka humbur katër vite kohë duke mos qenë në gjendje të avancojë asnjë qëllim diplomatik të vetëm. Asgjë s’ka ndodhur në dialog”, thotë ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj.