Familja Imeri: A kanë qenë Adem Jashari dhe Gani Geci, shënjestra e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët?

Aktuale

Familja Imeri: A kanë qenë Adem Jashari dhe Gani Geci, shënjestra e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët?

Nga: Bota sot Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 12:48
Xhafer Shatri

Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka dalë me një shkrim në Facebook, lidhur me komunikatat 45 dhe 59.

Ajo ka komentuar interpretimin e ish ministrit të Informimit, Xhafer Shatrit, sipas së cilit, Komunikata 45 as nuk e ka njohur Adem Jasharin dhe as sakrificën sublime të tij për lirinë e vendit.

Kjo familje ka ngritur një sërë pyetjesh, duke përmendur këtu se a ka qenë Adem Jashari dhe Gani Geci shënjestra e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët, që synonte kontrollin politik dhe eliminimin e kundërshtarëve.

“Gjykata Speciale ka një detyrim moral, historik dhe juridik për të zbardhur deri në fund këtë çështje”, ka shkruar familja Imeri.

Reagimi i plotë:

Komunikata 45-59 - Pasojat

Komunikatat e Drejtorisë Politike të (NPK) përkatësisht komunikatat numër 45 dhe 59, kanë ngritur pikëpyetje serioze për rolin e tyre në dritën e proceseve historike dhe juridike të Kosovës.

Sipas interpretimit të ish ministrit të Informimit, Z. Xhafer Shatrit, Komunikata 45 as nuk e ka njohur Adem Jasharin dhe as sakrificën sublime të tij për lirinë e vendit.

Ndërsa Komunikata 59 ka shënjestruar një ndër bashkëluftëtarët e parë të Adem Jasharit, Gani Gecin.

Ky fakt ka krijuar bazë për shqyrtim të thellë juridik mbi një ndërmarrje kriminale të përbashkët, e cila, përmes manipulimit me komunikatat publike, ka ushtruar presion, terror dhe ka çuar në pasoja tragjike.

Komunikata 59, sipas të gjitha të dhënave, është përdorur për të shënjestruar dhe stigmatizuar bashkeluftetarin e Adem Jasharit: Gani Gecin, duke e ekspozuar atë ndaj rrezikut ekstrem gjatë luftës dhe më pas.

Viktimat e kësaj komunikate nuk janë vetëm individë, atdhetarë të denjë, por edhe familje të tëra, dhe pasojat e saj janë të dukshme në humbjen e jetëve në Drenicë dhe më gjerë.

Këto veprime nuk mund të mbeten të pandëshkuara.

Gjykata Speciale ka një detyrim moral, historik dhe juridik për të zbardhur deri në fund këtë çështje.

A ka qenë Adem Jashari dhe Gani Geci shënjestra e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët, që synonte kontrollin politik dhe eliminimin e kundërshtarëve?

Kjo është një listë pyetjesh që kërkon përgjigje të qarta dhe të fuqishme në sallën e drejtësisë.

Terrorizimi i luftëtarit të orëve të para: Gani Gecit përmes komunikatave të tilla duhet të ndriçohet deri në fund.

Historia e Kosovës meriton të vërtetën, dhe drejtësia duhet të jetë busulla e pandryshueshme për të ndërtuar një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike.

Komunikatat si ato të Drejtorisë Politike të perpiluara nga Hashim Thaçi duhet të shërbejnë si prova të qarta të një periudhe të errët që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat