Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish në lidhje me shpërthimin në “Ibër Lepenc”.
Kurti përmes një postimi në Facebook, komentoi armatimin, uniformat dhe pajisjet e ndryshme, të cilat policia e Kosovës i konfiskoi gjatë aksioneve në veri.
Për të parin e qeverisë, zbulimet e policisë së vendit janë shumë shqetësuese dhe dëshmohet përfshirja e grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, në këtë sulm terrorist.
“Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, shkroi Kurti, përcjell “Bota sot”
Postimi i plotë
Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.
Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.
Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.