​Takimi i 17 dhjetorit mbetet i paqartë pas sulmit terrorist në veri

Aktuale

​Takimi i 17 dhjetorit mbetet i paqartë pas sulmit terrorist në veri

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 11:20
Lajcak, Bislimi dhe Petkoviq

Bashkimi Evropian nuk ka bërë të ditur nëse do të zhvillohet takimi i caktuar më 17 dhjetor, në nivel kryenegociatorësh, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. As Qeveria e Kosovës nuk dha ndonjë përgjigje për KP, nëse do të kushtëzojnë pjesëmarrjen në takimin e dialogut Kosovë-Serbi, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Në ekzekutiv ishin të heshtur edhe sa i përket mundësisë për takim trilateral dhe për agjendën e diskutimit mes kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

Ndërkohë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk presin përparim në dialog, përderisa siç thonë, vazhdon qasja destruktive e Serbisë. Skeptik për progres në dialog janë edhe nga opozita dhe njohës të këtij procesi.

Institucionet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit të fundit terrorist në veri, ku u cenua infrastruktura kritike e Kosovës, derisa Serbia ka mohuar akuzat.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni thotë se nuk mund të ketë përparim në dialog me qasjen e njëanshme të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak, si dhe me destruktivitetin e Serbisë.

Hyseni: Nga takimi i 17 dhjetorit në Bruksel s’pres diçka të re

“Në këtë takim unë nuk shoh ndonjë mundësi që të kemi diçka të re. Ndërmjetësuesi është po i njëjti, Miroslav Lajçak, i cili pothuajse gjatë tërë procesit negociator me qëndrimet e tij jobalancuese në raport me kërkesat e Serbisë, ka bërë që takimet mos të kenë rezultat. Po ashtu, njëkohësisht të kemi një pozicionim të Serbisë karshi kërkesave të saj dhe nevojës që ato të implementohen nga ana e Kosovës në mënyrë të njëanshme. Është pala e Serbisë që është jokonstruktive në dialog dhe ajo që i bën karshillëk marrëveshjes që është arritur. Në këtë drejtim nuk duket në horizont ndonjë qasje e Serbisë për respektim të marrëveshjes”, thotë ai.

Opozita ndërkaq kritikon Qeverinë për mostrasparencë në procesin e dialogut me Serbinë. Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se me Qeverinë aktuale nuk mund të ketë përparim në këtë proces.

Krasniqi: Nën qeverinë Kurti s’do të ketë progres në dialog

Nga kjo qeveri nuk pres (progres në dialog). Tash e katër vite s’ka bërë asgjë për dialogun, ku s’ka pas transparencë. Ne kemi kuptuar përmes mediave se kur po takohen përfaqësuesit e BE-së dhe Kosovës. S’pres që të ketë diçka të re. Ju e dini që kemi një marrëveshje në të cilën nuk jemi pajtuar si LDK. Kjo është një marrëveshja më e dëmshme që ka bërë ndonjëherë Kosova”, deklaron ajo.

Ndërkaq, njohësi i integrimit evropian, Avni Mazrrezku mendon se takimi 17 dhjetorit është vetëm përmbushje e agjendës së emisarit, Lajcak.

Mazrreku: Takimi i radhës në dialog është më tepër përmbushje e chek-listes së Lajçak

“Më tepër është me përmbushë chek-listën e zotëri Lajçak për punën e tij si teknokrat i BE-së dhe me arsyetuar pagën e vet. Përndryshe edhe zotëri Lajçak ka qenë nga një shtet jonjohës i pavarësisë së Kosovës. Lajëak se ka përdorë rolin dhe pozitën e tij që t’i ndihmojë politikës së zgjerimit të BE-së”, thekson Mazrreku.

Takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryengeciatorëve u mbajt më 24 tetor në Bruksel, por nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat