PDK me deklaratë politike, shpreh shqetësimet lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë

Aktuale

PDK me deklaratë politike, shpreh shqetësimet lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 18:30
PDK

Këshilli Drejtues i PDK-së të dielën ka miratuar një deklaratë politike me pesë pika.

Përmes kësaj deklarate, PDK-ja shpreh shqetësimet e saj lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Me kandidatin, programin dhe ekipin më të mirë të kandidatëve për deputetë, PDK-ja thotë se angazhohet për fitore më 9 shkurt.

Sipas tyre, kjo parti qëndron e bashkuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të mirë, thuhet në deklaratë.

Bazuar në zhvillimet e fundit në vend, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës miraton deklaratën e mëposhtme:

1.Shqetësimet për Hagën:

PDK shpreh shqetësimet e saj lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ne kërkojmë drejtësi dhe paanshmëri ndaj procedurave gjyqësore, dhe një qasje me standarde evropiane, e cila garanton të drejtat themelore të secilit individ.

Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kah së vërtetës së luftës çlirimtare të popullit tonë, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e sakrificës së shenjtë për liri.

2. Drejtësi për Kosovën:

PDK i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend.

Kërkojmë hetim të plotë, përgjegjësi dhe dënim të kriminelëve të cilët kryen sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve në Kosovë.

PDK i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagoj me vendosmëri kundër veprimeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe në dëm të stabilitetit rajonal.

3. Siguri kombëtare dhe integrim:

Për Partinë Demokratike të Kosovës, fuqizimi i sigurisë kombëtare të Kosovës mbetet prioritet.

PDK thekson nevojën për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së.

Krahas ofrimit të sigurisë për vendin dhe qytetarët, Kosova duhet të intensifikojë koordinimin me aleatët e saj në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Ky është i vetmi drejtim dhe qëllim politik i Kosovës.

4. Kosova mundet ma mirë:

Gjatë katër viteve të fundit, Kosova ka pasur një qeveri të cilën e definojnë stagnimi, mundësitë e humbura dhe dështimi për të përmbushur reformat e rëndësishme.

Mungesa e përparimit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, diplomaci dhe në fusha të tjera, i ka lënë qytetarët tanë të frustruar dhe vendin tonë pa e përmbushur potencialin e plotë.

Njëjtë sikur qytetarët e Kosovës, ne besojmë se Kosova mundet ma mirë. Me lidership vizionar, qeverisje profesionale dhe një program të qartë për zhvillim, Kosova mund të përballoj me sukses sfidat e sotme dhe të nisë ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.

Ky është misioni i PDK-së.

5. Mobilizimi zgjedhor për fitore:

PDK është plotësisht e mobilizuar për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Partia Demokratike e Kosovës është e inkurajuar nga mbështetja e madhe e qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, për kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën.

Me kandidatin, programin dhe ekipin më të mirë të kandidatëve për deputetë, PDK-ja angazhohet për fitore më 9 shkurt. PDK qëndron e bashkuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat