Përurohet renovimi i tri klinikave në QKUK, Kurti: Jemi pajisur me aparaturë SPECT- CT e vetmja në rajonin e Ballkanit

Aktuale

Përurohet renovimi i tri klinikave në QKUK, Kurti: Jemi pajisur me aparaturë SPECT- CT e vetmja në rajonin e Ballkanit

Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 08:03 Përditësuar në ora: 12:51 më 09.12.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Kurti s’dëshiron ta komentojë sulmin e djeshëm ndaj mediave: Flasim në vende të tjera, herë të tjera

Kryeministri Albin Kurti refuzoi të flasë lidhur me sulmin e tij ndaj mediave të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në QKUK, ku shkoi për përurimin e punimeve të rinovimeve në Klinikën e Radiologjisë, ai u pyet për deklaratën e tij se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë”.

“Këtu jemi në Klinikën e Radiologjisë. Jemi në Klinikën e Radiologjisë. Për çështje të tjera flasim në vende të tjera, herë të tjera. Faleminderit shumë”, tha Kurti, duke u larguar, pasi paraprakisht ishte ndalur para mikrofonave për të folur për rinovimet në këtë klinikë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën e Kurtit ndaj mediave, të cilën e ka konsideruar të rrezikshme.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtejes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij. Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, u tha ndër tjerash në reagimin e AGK-së.

Përurohet renovimi i tri klinikave në QKUK

Renovimi i infrastrukturës së korridoreve dhe pritoreve në tri klinika, në Radiologji, Biokimi Mjekësore dhe Kirurgji, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 393 mijë euro.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përuruan sot renovimet në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kurti ka thënë se Shërbimi Klinik i Mjekisë Nukleare është pajisur aparaturë SPECT- CT, që sipas tij është e vetmja në rajonin e Ballkanit.

Këtu ku ndodhemi kemi bërë adaptimin e korridoreve dhe pritoreve, gjithashtu edhe në Biokimi mjekësore dhe Kirurgji, vlera e gjithmbarshme është 393 mijë euro dhe punimet janë kryer mbi 90 për qind në të tri klinika. Pikërisht këtu ku ndodhemi tani në Radiologji kjo është përmbyllur me sukses. Kemi pasur për qëllim rregullim e pritoreve dhe korridoreve për pacient. I kemi trajtuar të gjitha elementet e enterierit që e bëjnë edhe punën cilësore të mjekëve specialistëve dhe infermiereve. Kemi trajtuar muret, plafonin, dyert… dhe shtatë sportele të reja. Para se të vinim këtu ishim në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare ku jemi pajisur me një aparaturë që është e vetmja në rajonin e Ballkanit”, tha Kurti.

Ai tha se aparati i ri quhet SPECT CT me vlerë prej 850 mijë euro është blerë nga buxheti i shtetit edhe pse kishte kërkesa qysh nga viti 2018 nuk është blerë as një herë.

“SPECT CT përdor izotopet radio-aktive për të krijuar imazhe funksionale dhe për të treguar se si funksionojnë organet ashtu edhe indet në trupin e njeriut, paralelisht me CT që krijojnë imazhe strukturore në detaje për anatominë e trupit dhe kombinim i këtyre dy teknikave ndihmon në diagnostikimin më të saktë. Janë kryer edhe trajnime e nevojshme me stafin”, ka thënë Kurti.

Ministri Arben Vitia, ka thënë se janë duke investime shumë që përveç diagnostifikimit edhe në aparatura të reja dhe moderne, kështu që pacientet të diagnostikohen dhe trajtohen në Kosovë.

“Ne po bëjmë një investim të strukturuar sistematik dhe të analizuar mirë në çdo klinik në sistemin tonë shëndetësor jo vetëm në QKUK, por edhe në spitale regjionale. Po ashtu ishim dhe pamë një aparaturë e vetmja e tillë në rajon, që do të thotë investime tona synojnë që ta rrisim kualitetit e diagnostikimit të pacienteve në mënyrë që pacientet të diagnostifikohen në Kosovë dhe të intervenohet në Kosovë”, tha Vitia.

Kurti dhe Vitia marrin pjesë sot në përurimin e renovimeve në Klinikën e Radiologjisë në QKUK

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, do të marrin pjesë në përurimin e renovimeve në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ngjarja nis nga ora 11:00.

Nuk dihet nëse do të ketë liderë të tjerë pjesëmarrës.

Priten detaje shtesë gjatë ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat