Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke diskutuar për sfidat në reformën në drejtësi, tha se Qeveria përmes ligjeve ka tentuar kapjen e shtetit.
Tahiri tha se në historinë e Kosovës, kjo Qeveri është ajo që ka fituar besimin e plotë, 50% për të udhëhequr vetë. Andaj, sipas tij, edhe si opozitë kanë pritur që temat e drejtësisë të trajtohen me seriozitet, por që asnjëherë nuk kanë parë diçka të tillë.
“Me u mundu që përmes ligjit me e kapë shtetin, unë me të vërtetë nuk kam has në diçka të tillë”, tha ai.
Çështja e parë, Tahiri tha se është që logjika qeverisëse në ditët e para ka qenë sulmi ndaj secilit institucion të pavarur. Tha se kjo Qeveri ka ndërtuar një koncept ku procesi i konsultimit publik ka qenë farsë.
“Logjika ka qenë na edhe ata, edhe me fillim ka qenë ne nuk pajtohemi”, tha ai, duke shtuar se kjo Qeveri ka krijuar armiqësi me të gjithë.
Çështja e dytë, Tahiri thotë se ka të bëjë me tendencën për politizim të çdo institucioni. Tha se tendenca e politizimit ka nisur përmes ligjeve në dy institucione që prodhojnë drejtësi, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tek mediat e pastaj te Ligji për Zyrtarët Publikë duke e normuar për dy vjet ushtruesin e detyrës.
Çështja e tretë, tha se lidhet drejtpërdrejt me luftën kundër korrupsionit, për çka tha se është armiku më i madh i Kosovës.
“Korrupsioni është problem që duhet me u luftu prej secilit prej nesh, sepse është kancer”, tha ai.Tahiri përmendi se kjo Qeveri ka mbrojtur afera të ndryshme, duke filluar me Martin Berishajn, për të cilin tha se ka nxjerrën nga banka mbi një milion euro.
“Çka blen me kesh, ose çka nuk mundet me pagu me transaksione. Me kesh mundesh me ble drogë…, përndryshe çka blen me kesh”, u shpreh ai, duke thënë se Qeveria asnjëherë nuk është distancuar nga këto.
Kur flasim për luftën kundër korrupsionit, Tahiri pyeti se si ka mundësi që ende Qeveria nuk ka hartuar një Strategji kundër korrupsionit.
“A ka ndonjë arsyetim, arsye pse a qysh a tek”, tha tutje ai.
E fundit sipas tij është Vettingu, për të cilin tha se ka kuptuar me kohë që ka qenë vetëm një ushtrim i komunikimit politik përmes instrumenteve të marketingut, por që nuk e kanë njëmend.
“Ka nevojë për Vetting, ka nevojë, gjyqtarët te cilët nuk e justifikojnë pasurinë e vet duhet me u shiku. Unë jam pro Byrosë, duhet me u ditë krejt edhe një lugë, edhe një tepih se jo më një shtëpi, duhet me tregu nga shtëpia, nga kjo pasuri”, u shpreh ai.
Në fund, Tahiri ka përgëzuar IKD-në për punën e bërë në raportin për dështimin e reformës në drejtësi.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të hënën ka organizuar tryezë diskutimi për sfidat e reformës në drejtësi si dhe ka publikuar raportin me titull “Dështimi i reformës në drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.