Kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi: KQZ-ja ka dhënë shembullin e mirë për transparencën e financave të subjekteve politike

Aktuale

Kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi: KQZ-ja ka dhënë shembullin e mirë për transparencën e financave të subjekteve politike

Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi mori pjesë në hapjen e punëtorisë dyditore për forcimin e ekspertisës dhe kapaciteteve të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike lidhur me mbikëqyrjen e financimit dhe shpenzimeve të partive politike.

Në fillim të këtij aktiviteti, Radoniqi falënderoi Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA) dhe Qendrën për Sundimin e Ligjit të Finlandës për mbështetjen e KQZ-së në organizimin e kësaj punëtorie.

Kryesuesi Radoniqi u shpreh se transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë shembull të mirë në rritjene saj.

“Transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme për të siguruar besueshmëri te qytetarët për partitë politike, por edhe për të garantuar llogaridhënie te qytetarët për paratë që marrin nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorë të tjerë. Pikërisht me qëllim të rritjes së transparencës para qytetarëve, KQZ-ja ka disa vite që publikon raportet vjetore financiare dhe raportet e fushatave zgjedhore edhe kur ato janë të paaudituara. Si Komision Qendror i Zgjedhjeve besoj se i kemi kontribouar jashtëzakonisht shumë transparencës dhe kemi dhënë shembull të mire”, tha Radoniqi.

Po ashtu, Radoniqi njoftoi se për herë të parë, KQZ përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të zbatojë edhe detyrat të reja që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me veprimtarinë e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, për herë të parë do të monitorojë: Organizimin e takimeve, veprimtarive të fushatës së zgjedhjeve; fushatatat reklamuese dhe materialet tjera promovouese të subjekteve politike që do të certifiohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Për këtë qëllim, KQZ-ja do të angazhojë monitorues nëpër komuna të Kosovës, të cilët do të kryejnë detyra të ndryshme monituese dhe do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si informacione për qëllim të evidentimit dhe krahasimit me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës së zgjedhjeve që dorëzohen nga subjektet politike të certifikuara”, njoftoi Radoniqi.

Në këtë punëtoi po marrin pjesë edhe përfaqësues financiar të subjekteve politike në Republikën e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat