Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lufta kundër korrupsionit është një nga prioritet e Qeverisë së Kosovës.
Ai thotë se punë kundër korrupsionit, Kosova qëndron 21 vende më lart në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International.
“Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit ritheksoj angazhimin tonë të palëkundur për të luftuar korrupsionin”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë sonë që nga fillimi i mandatit. Përmes angazhimit të vendosur, masave konkrete, e bashkëpunimit me agjencitë e specializuara ndërkombëtare, kemi arritur të shkatërrojmë 124 grupe kriminale, të konfiskojmë mbi 4.5 ton substanca narkotike, dhe sekuestrojmë e konfiskojmë mallra dhe asete me vlerë rreth 37 milionë euro nga operacionet e Doganës së Kosovës. Në të njëjtën kohë kemi kursyer mbi 145 milionë euro përmes fitoreve në arbitrazhe ndërkombëtare, duke parandaluar abuzimet financiare nga kontratat e dëmshme të qeverive të kaluara. Andaj edhe sot qëndrojmë 21 vende më lart në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International.
Kur nuk ka korrupsion, ka rend e ligj, meritokraci dhe drejtësi sociale. Këtë e premtuam dhe këtë po e bëjmë çdo ditë. Nuk ka kthim mbrapa në kohën e zymtë të hajnisë e ryshfetit për tender apo haraçit, e përfitimeve nga paraja publike. Andaj nuk ka më kthim as te strukturat e dikurshme politike të cilat sollën Kosovën në gjendje të një shteti të kapur. Si qeveri e përgjegjshme, siguruam që investimet kapitale të rriten kurse borxhi publik të ulët. Në vitin 2023 investimet kapitale kanë qenë më të lartat në historinë e vendit - në vlerë prej 561 milionë euro. Ndërkaq gjatë nëntë muajve të vitit 2024 kemi rritje prej 23% të shpenzimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak. I kemi mbështetur drejtpërdrejtë bizneset dhe qytetarët, duke mbajtur borxhin publik më të ulët në Evropë, prej vetëm 17% të PBB-së, pa krijuar borxhe të reja, dhe duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Si rezultat i kësaj por edhe i luftimit të korrupsionit qarkullimi i përgjithshëm i bizneseve vitin e kaluar u rrit për gati 60% krahasuar me vitin 2019, duke arritur vlerën totale prej gati 20 miliardë euro.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit ritheksoj angazhimin tonë të palëkundur për të luftuar korrupsionin.