Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Organizatën Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), kanë mbajtur takimin ku është diskutuar mbi temën “Rishikimi i përbashkët vjetor i sektorit pyjor në Kosovë”.
Aty u tha se Qëllimi kryesor i këtij rishikimi është të sigurojë një analizë gjithëpërfshirëse të sektorit, të promovojë transparencën dhe të harmonizojë veprimet e ardhshme me objektivat strategjike.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini, tha se mbrojtja e mjedisit ka qenë një prioritet global, teksa degradimin e pyjeve e konsideron një ndër sfidat më të mëdha.
“Pyjet përbejnë një pjesë të rëndësishme të territorit të Kosovës duke mbuluar afërsish 44.6 për qind të sipërfaqes së saj, ky fakt e vendos Kosovën ndër vendet më pyjore ne Evropë. Një pjesë e madhe e popullsisë siguron jetës nga pyjet. Mbrojtja e mjedisit ka qenë një prioritet global për dekada dhe degradimi i pyjeve vazhdon qe të jetë një prej sfidave më të mëdha mjedisore. Përmes menaxhimit të pyjeve mund të kontribuojmë në zbutjen e ndryshimet klimatike, mbrojtjen e diversitetit dhe parandalimin e degradimit të tokës”.
“MBPZHR ka ndërmarr hapa për përmirësimin e gjendjes në sektorin pyjor. Hartimi i politikave, strategjive dhe programeve është në qendër të përpjekjeve tona për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor duke adresuar sfidat kryesore si shfrytëzimi i pa kontrolluar i pyjeve, prerjet ilegale dhe ndërtimin e pa kontrolluar. Në këtë kontekst ne kemi ndërmarr disa hapa konkret, kemi bërë përmirësimin e politikave dhe strategjive afatgjate siç është strategjia për zhvillimin e pylltarisë të vitit 2022-2023, po ashtu kemi avancuar kornizën ligjore të cilën e kemi plotësuar në mënyrë efikase, kemi hartuar ligjin e ri të pyjeve i cili përcakton qartë përgjegjësit për menaxhimin dhe ruajtjen e pyjeve. Kemi avancuar edhe bashkëpunimin ndërinstitucional ku me themelin e Task-forcës për mbrojtjen e pyjeve, kemi mobilizuar të gjitha institucionet për të forcuar mbrojtjen e pyjeve”, u shpreh Çerkini.
Vadim Stirbu, Zyrtar i Programeve nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ky projekt do të zgjasë deri në fund të vitit 2025.
“Projekti ishte i dedikuar për dy vite, tani kemi arritur që ta zgjasim. Projekti do të shtyhet deri në fund të vitit 2025, dhe natyrisht se është e rëndësishme se si ne punojmë dhe ne çfarë e bazojmë punën e tone. Është shume e rëndësishme që projekti të zbatoj strategjitë e veta. Duke ditur se projekti do të përfundoj në fund të vitit të ardhshëm është shumë e rëndësishme për institucionet të kuptojnë se çfarë mbështetje ju duhet për vitet e ardhshme sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në 2026. Është e rëndësishme që të përdorim këtë projekt në mënyrën më të mirë që të krijojmë një menaxhim të qëndrueshëm të pylltarisë në Kosovë dhe t’i menaxhojmë pyjet në mënyrën e duhur në Kosovë”, u shpreh ai
Naser Krasniqi, Udhëheqës Vendor i FAO-së në Kosovë, tha se ky mekanizëm i rishikimit vjetor mbetet vendimtar për nxitjen e progresit në sektorin pyjor të Kosovës. duke siguruar që sfidat të përballen me strategji adaptive dhe që sukseset të ndërtohen në bashkëpunim.
“Ky takim është një ngjarje tjetër e radhës që besojmë që do të kontribuojnë drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve. Takimi është një praktik që në Kosovë ka filluar nga viti 2013 dhe që nga atëherë kjo ngjarje ka sjellë se bashku të gjithë akteret për të shqyrtuar, diskutuar dhe analizuar gjendjen e sektorit te pyjeve, identifikimin e sfidave dhe mundësive të sektorit të pylltarisë dhe ngritjen e kontributit të tij në ekonominë e Kosovës për përftime sa më të mëdha”, deklaroi ai.
Kemajl Kadriu, Shef i Divizionit të Politikave dhe Strategjisë i Departamentit të Pylltarisë, duke prezantuar raportin vjetor të progresit për Zbatimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sektorin e Pylltarisë, ka thënë se dokumenti adreson ruajtjen, zgjerimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të pyjeve.
“SHZHP 2022-2030 është një dokument kryesor politikash që adreson ruajtjen, zgjerimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të pyjeve, duke marrë parasysh një qasje shumëfunksionale dhe shumëqëllimore për menaxhimin e tyre dhe thekson: Sigurimin e mallrave dhe shërbimeve për ruajtjen e biodiversitetit. Rëndësinë ekonomike dhe sociale të sektorit pyjor në rritjen e mirëqenies kombëtare dhe uljen e varfërisë. Adresimin e ndikimeve negative mjedisore si ndryshimet klimatike dhe degradimi i tokës”.
“Objektivat strategjike janë: Përmirësimi i gjendjes së burimeve pyjore (8 objektiva specifike): Përditësimi i të dhënave për pyjet (kadastra, hartëzimi). Rritja e prodhimeve pyjore dhe zhvillimi i silvikulturës. Mbrojtja e burimeve pyjore (5 objektiva specifike): Zvogëlimi i prerjeve të paligjshme dhe mbrojtja e biodiversitetit. Monitorimi i shëndetit të pyjeve dhe mbrojtja nga zjarret. Përdorimi i qëndrueshëm shumëfunksional i pyjeve (4 objektiva specifike): Shfrytëzimi i rregullt i burimeve pyjore duke përfshirë ekoturizmin dhe përputhjen me kriteret e MQP (Menaxhimi i Qëndrueshëm i Pyjeve). Rritja e kapaciteteve të sektorit të pylltarisë (4 objektiva specifike): Aftësimi profesional përmes trajnimeve, programeve dhe bursave për ekspertë të rinj. Përmirësimi i strukturave menaxhuese dhe modernizimi i shkollave profesionale. Ndërgjegjësimi, koordinimi dhe komunikimi (2 objektiva specifike): Përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e pyjeve dhe zhvillimi i platformave të komunikimit”, ka thënë ai.