Kryesia e Degës së partisë GUXO në qytetin e Ferizajt, bëri të ditur se ka pushuar aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025.
Në një deklaratë për medie, thuhet se kjo degë ishte ndër më të organizuarat në partinë GUXO, ndërsa në Kuvendin e Kosovës ishte e përfaqësuar nga dy deputetë.
Sipas tyre arsyet që quan deri te vendimi për shuarjen e aktiviteteve, janë mes tjerash edhe pakënaqësitë që kjo degë i ka me dy bashkëkryetarët e partisë GUXO, Faton Peci e Donika Gërvalla.
Kjo është deklarata e plotë:
Nga: Kryesia e Partisë GUXO - Dega Ferizaj
Për: Kryesinë Qendrore GUXO, Mediat dhe Publikun
Datë: 09.12.2024
Lënda: DEKLARATË
- Në mbledhjen e mbajtur më 09.12.2024 të Kryesisë së Partisë GUXO - Dega Ferizaj, u diskutua çështja e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit 2025 dhe përfaqësimi ynë në garë me kandidatë të mundshëm për deputetë, duke pasur parasyshë që jemi ndër degët më të organizuara të Partisë GUXO në nivel nacional, e cila degë në nivel qëndror përfaqësohet me 2 deputetë dhe me dy asambleiste në Kuvendin Komunal - Ferizaj, duke shpërfaqur potencial votash të cilën nuk e ka pasur asnjë degë e Partisë GUXO në nivel shteti.
- Pas diskutimeve të shumta në frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe rrespektimit të mendimeve të ndryshme, me shumicë votash në kryesi, u mor vendim që Dega e Partisë GUXO - Ferizaj, të tërhiqet plotësisht dhe të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025, duke qenë të vendosur që të qëndrojmë brenda kauzës së saj politike dhe identitetit politik.
- Shkaqet që çuan deri te ky vendim janë:
1. Ndjekja e interesave puro personale të dy Bashkëkryetarëve, znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci dhe anashkalimi i interesave të partisë, gjë e cila e ka dëmtuar dhe po e dëmton ekzistencën, qëndrueshmërinë dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta të anëtarësisë, duke cenuar dhe vazhdueshmërinë e saj.
2. Mosrespektimi i propozimit të Këshillit të Përgjithshëm që të mbajmë e të ruajmë identitetin tonë politikë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
3. Shkelja dhe përbaltosja e maksimës dhe motos tonë që: “E Ardhmja u Takon Atyre që Guxojnë”!
4. Shkeljet hierarkike partiake.
5. Mbyllja totale dhe mungesa e komunikimit me strukturat partiake.