Vetëvendosje i fillon aderimet, Kurti njofton se i është bashkuar një kardiolog

Aktuale

Vetëvendosje i fillon aderimet, Kurti njofton se i është bashkuar një kardiolog

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 12:36
VV-ja ka bërë të ditur se doktori nga Peja, Raif Çavolli i është bashkuar kësaj partie.

Kur kanë mbetur dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, partitë politike tashmë kanë prezantuar disa aderime, por jo edhe VV-ja. Të paktën deri më sot, pasi partia në pushtet, të martën ka prezantuar një aderim.

VV-ja ka bërë të ditur se doktori nga Peja, Raif Çavolli i është bashkuar kësaj partie.

Ata kanë njoftuar se prezantimin e aderimit e ka bërë vetë kryeministri Albin Kurti. Kurti ka thënë se Çavolli do të sjellë përvojë të pasur dhe integritet profesional në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dr. Raif Çavolli i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! Me një karrierë të shquar në fushën e mjekësisë kardiovaskulare, dr. Raif Çavolli sjell përvojë të pasur dhe integritet profesional në radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si një kirurg i mirënjohur, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në shpëtimin e jetëve, por edhe në avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe Shqipëri, duke udhëhequr me sukses klinika dhe ekipe mjekësore.

Dr. Çavolli është një figurë e njohur dhe e respektuar, veçanërisht për qytetarët e Pejës, duke ardhur nga një familje me traditë të gjatë në mjekësi. Me përkushtimin dhe angazhimin e tij, ai përfaqëson modelin e një profesionisti që punon për të mirën e përgjithshme dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Angazhimi i dr. Çavollit në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk do të pasurojë vetëm vizionin tonë për një shëndetësi më të fortë, por do të jetë edhe një shtysë për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe të orientuar drejt qytetarit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat