Sektori i industrive kreative në ekonominë globale ka vlerë prej rreth 4.3 trilion dollarësh. Potenciali i industrisë kreative për të promovuar qëndrueshmërinë njihet si udhërrëfyes për ekonomi qarkore në Kosovë. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për “Ekonomi Kreative – Perspektiva në Ndryshim: Krijuesit në Krye të Ndryshimit Ekonomik”.
Ai tregoi se aktualisht është duke u hartuar strategjia për ekonominë kreative me një përfshirje të gjerë të institucioneve publike.
Kurti tha se talenti krijues ndikon shumë në zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë.
Kurti: Në vit gjenerohen rreth 30 milionë vende punë anë e mbanë botës nga industria kreative
"Kjo temë po merr vëmendje institucionale çdo ditë e më shumë. Edhe pse si term shumë i ri, ky koncept ka një kohë që vërteton me shifra shumë serioze që talenti krijues ndikon shumë në zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë. Sipas hulumtimeve të UNESC-os Organizata e kombeve të Bashkuara për Edukim , Shkencë dhe Kulturë sektori i industrive kreative në ekonominë globale ka vlerë prej rreth 4.3 trilion dollarësh. Në vit gjenerohen rreth 30 milionë vende punë anë e mbanë botës, duke punësuar grup moshat 15 deri 29 vjeç më së shumti se cilido sektor tjetër...Kurse sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, eksporti i shërbimeve kreative ka arritur shifrën e 1.4 trilion dollarë në vitin 2022 duke shënuar ngritje prej 29 për qind nga viti 2017”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti potencoi se Qeveria e Kosovës po ndjek trendet e shteteve të zhvilluara që kanë hartuar e adaptuar politika zhvillimore për ekonominë kreative.
Ai shtoi se sektor i ekonomisë kreative shihet si një shtyllë e rëndësishme e strategjisë së specializimit të mençur të Kosovës.
Kurti: Është duke u hartuar strategjia për ekonominë kreative më një përfshirje të gjerë
“Qeveria e Kosovës po ndjek trendet e shteteve të zhvilluara që kanë hartuar e adaptuar politika zhvillimore për ekonominë kreative, duke u siguruar që të krijohen hapësira dhe kushte të nevojshme për zhvillim sa më të hovshëm të ekonomisë kreative. Aktualisht është duke u hartuar strategjia për ekonominë kreative më një përfshirje të gjerë të institucioneve tona publike....Për tu siguruar që jemi në hapat e duhur në hartimin e kësaj strategjie jemi duke organizuar një seri të diskutimeve mes institucioneve publike dhe private, shoqërisë civile si dhe individëve. Industria kreative duke qenë industri e dijes, po fitojmë njohje në Kosovë si një shtyllë potenciale e rritjes ekonomike e punësimit dhe inovacionit. Ky sektor shihet si një shtyllë e rëndësishme e strategjisë së specializimit të mençur të Kosovës. Potenciali i industrisë kreative për të promovuar qëndrueshmërinë njihet në udhërrëfyes për ekonomi qarkore në Kosovë", potencoi Kurti.
Përveç kësaj konference, në tetor të këtij viti Ministria e kulturës, Rinisë dhe Sportit organizoi një panel diskutues të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”. Edhe aty u theksua se ky sektor kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.