Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të kërkojë vlerësimin e kushtetutshmërisë për 20 ligje të miratuara në mënyrë të përshpejtuar nga shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e 5 dhjetorit.
PDK-ja ka cilësuar këtë proces si një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, deklaroi se procedura e ndjekur për miratimin e ligjeve përbën një “kontrabandim ligjesh” dhe një keqpërdorim të institucionit të kryetarit të Kuvendit.
Ai vuri në dukje se ligjet kaluan brenda disa orësh, pa ndonjë situatë emergjente që do të arsyetonte një qasje të tillë.
“Sa i përket seancës së 5 dhjetorit është bërë për mendimin tim një kontrabandim i ligjeve dhe është keqpërdor institucioni i kryetarit të Kuvendit, është shkel rregullorja e Kuvendit dhe është shkel Kushtetuta e Kovës. Sepse nuk kemi pas ndonjë gjendje të jashtëzakonshme apo emergjente që ligjet në lexim të pare dhe të dytë të kalojnë brenda orësh. Të thirren disa seanca jashtë rregullore së Kushtetutës së Kosovës dhe nuk e kam idenë përse janë ngitu për këtë ligje.
20 ligje kanë kaluar për çështje orësh. Këto ligje formën qysh e ka kaluar kuvendi, përveç që nuk e ndryshojnë gjendjen e qytetarëve në terren, nuk e lehtëson jetë e qytetarëve dhe institucioneve. Këto e komplikojnë, sepse nuk kanë lërë hapësirë, siç është edhe procedura që në mes të dy leximeve të bëhen grupet punuese, komisionet përkatës, palët e inversit dhe të diskutojnë për çështje të caktuara”, ka thënë Beqa.
Pra, duke akuzuar VV-në për shkelje të Kushtetutës dhe procedurave parlamentare, Beqa e cilësuar këtë si përpjekje për të kontrolluar Kuvendin nga Qeveria.
“Në sistemin tonë, kushtetues parlamentare, parlamenti e kontrollon qeverinë, fatkeqësisht këta janë munduar të krijojnë instrumente që Qeveria ta kontrollojë parlamentin ashtu edhe ndodhi më 5 dhjetor.
Në si PDK-së do ti kontestojmë në procedurë 20 ligje ne Gjykatë Kushtetuese.
Edhe në të kaluarën kur kemi dërguar ndonjë ligj në Kushtetuese, jemi bindur me argumente me prova ë kemi argumente për ta kthyer ligjin prapa. Këtu kemi aq shumë argumente, sidomos në procedurë por edhe në përmbajtje se ka shkelje flagrante të Kushtetuese. Sepse pushtetet janë të ndara, i kemi pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nuk ka mundësi në asnjë mënyrë që ekzekutivi ta luajë rolin e monarkut”, ka shtuar Beqa.