Një diskutim lidhur me kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz është zhvilluar në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1 mes analistit politik, Xhevdet Pozhari dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Megim Lushtaku.
Pozhari i ka thënë deputetit Lushtaku se për të ka qenë e dhimbshme që është lënë puna e këtij kompleksi deri te ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
“Si deputet prej zonës së Drenicës per mua ka qenë e dhimbshme në një masë me prit që të vijë qeveria Kurti për t’u interesuar për atë projektin gjigant të kompleksit “Adem Jashari”, pra pse me lënë punën deri te kjo qeveri edhe me u rreziku që me u shemb ajo që është legjendë e jona”, ka thënë Pozhari.
Ndërsa, Lushtaku i është kundërpërgjigjur Pozharit duke i thënë se ai po e mbron Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë po e shoh që akoma e ke këtë qëndrimin tënd pro VV-së është e drejtë e jotja sepse po mundohesh ta mbrosh në një këndvështrim tjetër. Por kur kanë qenë në hall qytetarët pas vërshimeve sidomos Drenica më lehtë i kanë mbështetur në Turqi pas tërmeteve dhe në Bosnjë pas vërshimeve sesa qytetarët e Drenicës unë jam pro humanitetit por mbi të gjitha ti ta trajtosh qytetarin e Drenicës si qytetar të fundit vetëm se e ka një bindje tjetër politike..”, është shprehur Lushtaku.