Bajrami i reagon Lushtakut: Zuckerbergu e as Musk në statistika nuk dalin më të suksesshëm se ai

Aktuale

Bajrami i reagon Lushtakut: Zuckerbergu e as Musk në statistika nuk dalin më të suksesshëm se ai

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 00:55
Alban Bajrami

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, i ka reaguar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, lidhur me deklaratën e tij në Tëvë1 se ftesa e Speciales për Kurtin mund të jetë inskenim i pushtetit.

Bajrami është shprehur se kjo deklaratë ka ardhur nga një deputet cili e ka blerë tokën 50 euro arin e ia ka shitur shtetit pesë mijë euro.

Sipas Bajramit nuk ka inskenim dhe nuk mund të ketë inskenim me siç ka thënë ‘një prokurori e cila i lëshon hajnat dhe e merr në pyetje kryeministrin e Kosovës’.

“Deputeti që e ka blerë tokën 50 euro arin edhe ia ka shitur shtetit 5 mijë, as Zuckerbergu, as Elon Musk në statistika nuk dalin më të suksesshëm se ai. Pesë mijë përqind a sdi sa përqind me llogarit se iu ka kthyer investimi. Nuk ka inskenim me prokurorinë e cila i lëshon hajnat dhe tenton ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti, ska inskenim me këtë prokurori, kjo prokurori ka nevojë për veting, veting që nuk do të munden ta ndalin”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka thënë se beson që mund të jetë lojë politike dhe inskenim pushteti ftesa për dëshmi nga Prokuroria Speciale e kryeministrit Albin Kurti.

“Unë besoj që me të vërtetë është një lojë politike në këtë pjesë që ka mundësi që vet e ka inskenuar edhe pushteti vetëm e vetëm që të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i ka bërë gjatë katër viteve në përgjithësi dhe pastaj del e ankohet se shikoni çfarë po më bën mua drejtësia dhe opozita dhe kështu me rradhë”, ka thënë Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat