Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen në fillim të vitit 2025, gjegjësisht me datën 9 shkurt.
E në listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje pati edhe shumë emra befasues, të cilët po ‘luftojnë’ për të zënë një karrige në Kuvend.
Një ndër ta ishte edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Edona Llalloshi, e cila ka aderuar në Vetëvendosje, me numrin 19.
Lajmin për aderimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje e zyrtarizoi edhe vet lideri i kësaj partie, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Edona Llalloshi është ndër emrat më të dashur të skenës sonë muzikore. Në karrierën e saj tre dekadëshe, veç krijimeve cilësore është shquar për personalitet të veçantë. Ajo është pjesë e listës sonë për fitoren e madhe. Me Edonën do të jemi edhe më të përkushtuar ndaj artit e kulturës. Mirësevjen, Edonë”, shkroi Albin Kurti në Facebook.
Një tjetër emër që do jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në kuadër të PDK-së, është edhe Genc Prelvukaj.
Artisi i njohur paralajmëroi angazhime konkrete për ndryshime të prekshme në qeverisjen e ardhshme, përfshirë rikthimin e fokusit tek interesat e qytetarëve dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
E veç tyre, pretendenti i radhës për karrigen e deputetit është edhe Lumbardh Salihu, si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Fituesi i Big Brother VIP Kosova 2 u shpreh i lumtur dhe theksoi se do të japë maksimumin e tij.
“E shoh këtë mundësi si një përgjegjësi të madhe dhe jam plotësisht i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, duke synuar mbështetjen e qytetarëve tanë, që LDK të dalë fituese në këto zgjedhje. Programi ynë, “Rruga e Re”, ofron një vizion të qartë për zhvillimin dhe një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”, deklaroi Salihu ditë më parë.
Një tjetër këngëtar garon për në zgjedhjet e 9 shkurtit, por që nuk është edhe shumë i njohur për publikun.
Burim Demiri nga Gjilani bëhet e ditur se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga partia në pushtet edhe këto zgjedhje kandidate do të jetë aktorja Adriana Matoshi, e cila po konkurron të fitojë mandatin e dytë si deputete pas atij që e fitoi në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës.
E sërish nga PDK do të jetë kandidate për deputete ish-këngëtarja e njohur, Eliza Hoxha.