​Partitë komentojnë listat zgjedhore, të gjitha optimiste për rezultate pozitive

Aktuale

​Partitë komentojnë listat zgjedhore, të gjitha optimiste për rezultate pozitive

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Subjektet politike shprehen optimiste për rezultate pozitive në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Një ditë pasi shpallën listat e kandidatëve për deputetë, ato thonë se përbërja e tyre ofron përfaqësim gjithëpërfshirës dhe kualitativ. Ndërsa analistë politikë thonë se në listat e partive nuk ka ndonjë befasi, me përjashtim të mos përfshirjes së Liburn Aliut në listën e LVV-së dhe Agim Veliut në listën e LDK-së.

Anëtari i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se lista e partisë aktuale në pushtet përmban emra të dëshmuar në skenën politike kosovare, derisa nënvizon se e njëjta do të jetë fituese.

Rrustemi: Lista e LVV-së do të jetë fituese më 9 shkurt

“Do të jetë një listë padyshim fituese. Një listë që unë do të thosha e një plebishiti të dytë pas 14 shkurtit 2021. Është një listë gjithëpërfshirëse në kuptimin edhe të përfaqësimit politik dhe institucional, por edhe të kategorive shoqërore sikurse edhe të komunave në kuptimin gjeografik të fjalës dhe profileve profesionale. Është një përpjekje për t’i dhënë përgjigje asaj çka pritet nga LVV-ja në kuptimin e përfaqësimit politik dhe qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ne jemi të bindur se përmes kësaj liste do të dalim fitues të zgjedhjeve me rezultatin mbi 50 për qind, aq sa është e nevojshme për të krijuar institucionet”, tha ai.

Në superlativ për listën e PDK-së, flet edhe Hisen Berisha, deputet i kësaj partie. Ai thotë se përbërja e listës është kualitative dhe do të çojë përpara objektivat e programit qeverisës të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza.

Berisha: Lista e PDK-së do t’i çojë përpara objektivat e vendosur për Kosovën

“Kriteret e vendosura për t’u përfshirë në listën e Partisë Demokratike garantojnë një përbërje, strukturë politike që do t’i çojë përpara objektivat e vendosura në programin qeverisës nga kandidati për kryeministër. Po ashtu, edhe objektivat që i ka PDK-ja për shtet-ndërtim, ashtu siç është dëshmuar që nga lufta e këndej”, thekson ai.

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj, thotë se lista e tyre është gjithëpërfshirëse sa i përket ideologjisë dhe filozofisë politike. Sipas tij, në listë ka njerëz të dëshmuar në aspektin profesional dhe intelektual.

Zemaj: Lista e LDK-së është gjithëpërfshirëse

“Lista është gjithëpërfshirëse edhe sa i përket ideologjisë dhe filozofisë politike të LDK-së, duke ruajtur pjesën përmbajtjesore që ka me identitetin tonë dhe karakterin që posedon LDK-ja. Në pjesën profesionale, njerëz të dëshmuar në aspektin intelektual, por edhe profesional dhe politik. Për mendimin tonë është një ndër listat më përfaqësuese që i ofrohen qytetarëve të Kosovës, jo vetëm elektoratit tonë”, deklaron Zemaj.

Besnik Tahiri nga AAK thotë se lista e tyre është “më e forta”, reprezentative dhe “magnetike” për të marrë votën e elektoratit në ditën e zgjedhjeve.

Tahiri: AAK ka listën më të fortë për të fituar vota më 9 shkurt

“Lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pa asnjë dyshim, është lista fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Tash ndonjë qytetar i Kosovës mund të thotë se çka po them? Aleanca me këtë listë, me këto koalicione dhe këta burra dhe gra që i ka në listë, e ka listën më të fortë, reprezentative dhe më magnetike për të marrë votë”, thekson Tahiri.

Analisti politik Albinot Maloku thotë për KosovaPress se përbërja e listave zgjedhore është më shumë vazhdimësi e së kaluarës, pa emra kualitativë që mund të bëjnë diferencën. Megjithatë, sipas tij, në secilën parti politike ka dhjetë kandidatë të mirë që qytetarët mund t’i votojnë më 9 shkurt.

Maloku: Në secilën parti ka 10 kandidatë të mirë që qytetarët mund t’i votojnë

“Procesi aktual i rregullt ka pasur një dinamikë tjetër. S’ka pasur atë pjesën e aderimeve pompoze apo të ngjashme. Listat e prezantuara prej atyre që janë brengosëse janë disa që janë përmendur që kanë probleme me drejtësinë. Kjo lista e partisë në pushtet mban primatin e këtyre emrave. Ka larguar disa siç është parë me emrin e Liburn Aliut, i cili është efekt interesant mes mospërputhjes që ndodhi mes Kurtit e Aliut. Në anën tjetër, LDK-ja përjashtoi Agim Veliun, i cili është një faktor i rëndësishëm i vazhdimësisë së LDK-së. Subjektet të tjera politike, përgjithësisht, janë munduar të ruajnë një vijë të liderit se sa kualitetit në kuptimin e njerëzve që janë në skenën politike në Kosovë. Ka pasur aderime të panatyrshme...Befasi nuk shoh shumë. Secili subjekt në formën e re të votimit të dhjetë emrave që mund të votojnë, besoj se do të mund të gjejnë nëse ata janë gjykues të mirë”, thekson Maloku.

Partitë politike më 11 dhjetor kanë dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor listat e kandidatëve për deputetë që do të jenë pjesë e garës zgjedhore për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat